Skuadra e famshme greke AEK Athinë ka barazuar në ndeshjen e parë të 1/16-të së finales në Ligën e Evropës.
Ekipi nga kryeqyteti i Greqisë kishte përballë skuadrën ukrainase Dynamo Kiev.
Dynamo ishte në epërsi nga pjesa e parë me golin e shënuar nga Tsygankov.
E për AEK-un në minutën e 79-të u inkuadrua në lojë edhe mesfushori shqiptar, Astrit Ajdarevic.
Reprezentuesit të Shqipërisë i ka mjaftuar vetëm një minutë lojë për të shënuar.
Ajdarevic shënoi një gol të bukur me kokë për t’i siguruar barazimin skuadrës së tij 1-1.
Ndeshja kthyese mes Dynamo Kiev dhe AEK Athinë do të zhvillohet pas një jave në Ukrainë.
Ky ishte goli i parë për Ajdarevicin këtë edicion në Ligën e Evropës. /Telegrafi/