Ish-legjenda e Manchester United, Paul Scholes, ka kritikuar hapur njërin prej lojtarëve të ‘Djajve të Kuq’ pas paraqitjes së tij të dobët në barazimin 1-1 ndaj Chelseat.
Në ndeshjen e tij të parë në Ligën Premier si trajner i përkohshëm i Unitedit, Ruud Van Nistelrooy ka mirëpritur Chelsean të dielën në ‘Old Trafford’.
Përkundër golit të Bruno Fernandes nga penalltia që i dha avantazhin atyre, pikët u ndanë në fund pasi Moises Caicedo shënoi për mysafirët për ta barazuar rezultatin.
Pas përfundimit të takimit, ish-lojtari tani eksperti Scholes, ka folur për njërin prej lojtarëve të Unitedit duke veçuar paraqitjen e tij të dobët në atë ndeshje.
Duke folur pas ndeshjes, ish-mesfushori kritikoi Marcus Rashfordin për faktin se dështoi ta konkretizojë në gol një rast të artë që e pati në fund të pjesës së parë.
“Pres që ai të bëjë më mirë. Mendoj se ai po përpiqet që ta bëjë golin të duket më i bukur, por në fakt ishte një goditje e thjeshtë nga shtatë metra”, ka thënë Scholes.
Në 10 ndeshje në Ligën Premier këtë sezon, Man Unitedi ka gjetur rrugën e rrjetës në vetëm nëntë raste, një problem shqetësues për të cilin Scholes tha se duhet të trajtohet nga trajneri i ri Ruben Amorim.
“Është diçka që trajneri i ri duhet ta trajtojë. Ata kishin mundësitë këtë sezon, duhet të bëjnë më mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/