Prioritet kryesor i Vetëvendosjes për komunën e Prishtinës në mandatin e ardhshëm do të jetë pastrimi i kryeqytetit nga mbeturinat.
Kështu tha në një konferencë për media kryetari dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Pagesat për mbledhjen e mbeturinave do të kryhet në komunën e Prishtinës, nga janari i ardhshëm. Ministria e Financave ia ka dhënë komunës prioritetin që kjo pagesë të bëhet në komunë. Në këtë mënyrë edhe buxheti i komunës do të rritet”, ka thënë Ahmeti.
Ai gjithashtu tregoi se numri i qytetarëve të regjistruar për pagesën e mbeturinave në krahasim me pronat që kanë të regjistruara është përgjysmë më i vogël.
“Kur e krahasojmë me regjistrimin në pronë i kemi gjysmë për gjysmë të regjistruar. Ne do ta përdorim faturimin e regjistrimit në pronë dhe secili do të paguaj për mbeturinat të cilat i gjeneron”, ka thënë tutje Ahmeti.
Ndër, të tjera ai tha se komuna e Prishtinës në mandatin e udhëhequr katërvjeçar ka pastruar 180 deponi mbeturinash ilegale. /Telegrafi/