Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, që synon mandatin e dytë për udhëheqjen e kryeqytetit, Shpend Ahmeti tha se të enjten në kuadër të ngritjes së cilësisë në arsim, përveç përzgjedhjes së kuadrove në mënyrë të hapur dhe me pjesëmarrje të komunitetit ka investuar edhe në hapësirat e brendshme të shkollave në mënyrë që mësimit teorik të nxënësve t’i shtohet edhe puna konkrete praktike.
Ai tha se në këtë drejtim, brenda 3 viteve të para të mandatit, janë kompletuar me mjete pune 102 kabinete për shkenca natyrore nëpër shkollat e Prishtinës: 32 shkolla janë furnizuar me kabinete të kompletuara për lëndën e biologjisë; 34 me kabinete për kimi; 35 me kabinete për fizikë; dhe shkolla e mesme e mjekësisë me kabinet për farmaci.
“Përveç kësaj, 19 institucione edukativo-arsimore janë pajisur me teknologji si kompjuterë, laptopë, e projektorë; janë hapur edhe 7 biblioteka të reja shkollore; si dhe në secilën shkollë të Prishtinës janë rregulluar këndet e leximit, kënde këto atraktive për nxënësit që po nxisin dëshirën e tyre për lexim”, tha ai.