Ministri Ahmet Shala është entusiazmuar se konferenca e donatorëve do të mbahet këtë të premte ne Bruksel. Madje, sipas asaj që flet, krijohet përshtypja se kjo konferencë do të zgjidhë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet Kosova. Donatorët do të japin afër 1,5 miliardë euro dhe Kosova i thotë lamtumirë varfërisë.
Por, ka mundësi që e tërë të mbetet një tregim i mirë. Jo për shkak të koprracisë së donatorëve, por nga fakti se asnjë vend nuk është zhvilluar përmes ndihmave – donacioneve.Se vërtetë është kështu, dëshmon shembulli i Kosovës. Që nga vitit 1999 e deri më 2006 donatorët kanë ndihmuar Kosovën me 2,5 miliardë euro, ndonëse ishin zotuar se do të japin një miliard më shumë.
Prej kësaj shume 52,8 për qind, apo 1,3 miliardë euro u spenzuan për asistencë teknike, ndërsa 11,8 për qind, përkatësisht rreth 300 milionë euro Ministria e Ekonomisë dhe e Financave i evidenton se kanë shkuar në destinime të panjohura.
Pa marrë parasyshë këto shifra, megjithate edhe pas shpenzimit të këtyre parave Kosova mbeti vendi më i varfër në Evropë, ku shkalla e papunësisë kalon mbi 50 për qind, kurse deficiti tregtar prej 1,3 miliardë eurosh dëshmon se prodhimi mbetet në nivel tejet të ulët të zhvillimit.
Poashtu, sadoqë donatorët ishin zotuar se me paratë e tyre do të krijonin kushte elementare për jetë, megjithate Kosova edhe në vitin 2008 ballafaqohet me krizë energjetike, rrjeti spërndarës nuk dorun më shumë se 900 megavatorë, numri më i madh i vendbanimeve nuk kanë ujë për pije, ndërsa investimet në infrastrutkurë u bënë vetëm sa për të mbuluar paratë kinse të shpenzuara.
Por, nuk duhet harruar edhe një fakt – në vitin 2003 “rrufeja” goditi termocentralin “Kosova B”. Këtu u dogjën qindra miliona euro. Zjarri zhduki të gjitha gjurmët dhe tani vështirë mund të thuhet se cilat ishin efektet e vërteta të donatorëve në sektorin e energjisë.
Këto argumente nxisin dyshimet. Posaçërisht për premtimet e ministrit Ahmet Shala. Duke analizuar fjalë që thuhen për konferencën e donatorëve, krijoet përshtypja se jo vetëm ministri, por e tërë Qeveria e Kosovës po nënçmon potencialet e tjera që ka Kosova. Nuk duhet injoruar mundësitë që kanë investitorët, të cilët duan të investojnë në baza komerciale, pastaj resurset njerëzore dhe ato natrore që ka Kosova, të cilat duhet të jenë mbështetja kryesore për zhvillim. Këto fakte nuk iu ofrohen fare donatorëve.
Ata duhet ta dijnë se ndihma e tyre do të lehtësoj problemet ekonomike dhe sociale në një përqindja të vogël. Këtu barrën kryesore e ka faktori i brendshëm, që për fat të keq është i përbuzur.
Poashtu, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës në Bruksel do të shkojnë me një grumbull problemesh, posaçërisht në lëmin e buxhetit. Donatorët poqese shfletojnë raportet për mënyrën e shpenzimit të parasë publike do të hasin në dilemën se a duhet ndihmuar një vend, i cili në fund të secilit vit kishte suficit buxhetor rreth 200 milionë euro. Duke analizuar shifrat mund të konstatojnë se këtij vendi nuk i duhen më shumë para, ose se paratë nga buxheti janë keqmenaxhuar.
Kjo e dyta është e saktë dhe për këtë, kjo Qeveri ka më së paku faj. Madje, është për inkurajim deklarata e ministrit të financave se në fund të këtij viti nuk do të ketë suficit të madh. Mirëpo, pas saj mëshifet edhe një rrezik. Me qëllimin që të ndërtohen sa më shumë kilometra rrugë, apo shkolla, harrohet se proceset duhet të jenë transparente dhe duhet të rrespektohen procedurat.
Së fundi, ministri Shala do të ishte më korrekt ndaj opinionit të brendshëm dhe ndaj donatorëve poqese deklaron se me ndima nuk zhvillohet Kosova, se ajo ka potencialet e veta për tejkalimin e varfërisë dhe të papunësisë, se do të ndrysoj mënyra e menaxhimit të parave të buxhetit dhe se do të jap llogari për çdo cent të shpenzuar.
Në të kundërtën, të gjitha mbeten fjalë të mëdha, kurse në fnd të vitit do të vërehet se ato ishin boshe.(Marre nga Lajm)