Telegrafi

’Ahmedinexhadët’ dhe kriza financiare në ‘’Wall Street’’ të Amerikës

Amerika si forca më e madhe e gravitetit të politikës globale po përballet kohët e fundit edhe me problemet në kontekstin financiar (përveç luftës ndaj terrorizmit, humbjet nga uraganet dhe ciklonet në disa shtete, etj.), e ku si pasojë konkrete kemi falimentimin e top bankës ‘’Lehman Brothers’’, pastaj edhe një sërë dilemash për të mënjanuar ‘efektin domino’ për dështimin e mega-bankave të tjera, mëdyshjet pro apo contra intervenimit qeveritar në shpëtimin e IAG-së, si dhe në përgjithësi rishqyrtimin e konceptit të tregtisë së lirë, apo rishikimin e formulës se ‘tregjet rregullohen vetvetiu dhe si të tilla nuk kanë nevojë për ndërhyrje’.

Në këtë konstelacion e pamundur të mos futet në diskurs dhe debat liberalizimi i tregjeve financiare, supervizioni shtetëror ndaj tyre, raporti shtet-ekonomi, etj. Dhe për Amerikën të vësh në pikëpyetje dhe diskutim tregtinë e lirë është sikur të flasësh për ‘krizën e liberalizmit’ dhe ndryshim perceptimi edhe ndaj vetë premisave në të cilat mbahet i gjithë sistemi politiko-shoqëror i SHBA-ve.

Mirëpo, në këtë shkrim nuk do të përqendrohemi në atë se si e shohin Amerikanët goditjen financiare që pësuan, por si e akceptuan dhe pritën kundërshtarët e Superfuqisë së botës dhe amerikano-skeptikët këtë simptomë të krizës në Wall Street.

Ahmedinexhadi si Nostradamuesi politikan i shekullit XXI, duket i relaksuar kur kupton se Amerika përsëri po ka sfida në truallin e tyre.’’Po i vjen fundi Perandorisë Amerikane’’, – u shpreh në një nga prononcimet e tij para medieve. Dhe pa dyshim këto nostradamuset profetike dhe retorike të presidentit iranian për shkak të averzionit dhe anti-amerikanizmit të tij të përbetuar dhe fiktiv nuk dalin vetëm nga goja e tij, por edhe nga gjithë anti-amerikanët e tjerë që sillen vërdallë globit si: rusët, serbët, disa vende dhe individë islamikë radikalë, etj.Madje eskatologjia për ‘Lidershipin e Botës’ (Lexo:Amerika) trumbetohet edhe nga ata që kanë krijuar një antipati për politikën e jashtme amerikane, e sidomos me luftën në Irak.

Historianët na rrëfejnë se në të kaluarën e shoqërisë njerëzore ka pasur lloj-lloj perandorish, super-fuqish, të cilat shtriheshin në kohë dhe hapësirë. Disa mbizotëronin e sundonin me vite, ca me dekada, e të tjera edhe me shekuj. Kujtojmë Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, Perandorinë Romake, Bizantin, Kalifatin arab, Perandorinë osmane, Perandorinë austro-hungareze, etj. Varësisht prej rrethanave shoqërore, emancipimit mendor dhe kulturor të shoqërive njerëzore, mënyrës dhe trajtës së prodhimit të të mirave materiale dhe veglave të punës, etj., ishte edhe tipi i mbretërive, perandorive, shteteve.

Kriza financiare që goditi SHBA-të nxori në pah teoritë klasike dhe ato bashkëkohore për lindjen, strukturën, rrjedhën dhe dinamikën e qytetërimeve. Shkurt: lindja dhe rënia apo dobësimi i civilizimeve. Ka pasur dhe akoma ka mendime përkitazi me destinacionin e Superfuqive të kohës, – të cilat mendime – kalojnë nga një ekstrem në ekstremin tjetër, nga një pesimizëm në shpresë, nga një frikë e shqetësim për të ardhmen e një civilizimi në mendim pozitiv, nga një pseudo-profeci në një të vërtetë për rrugën kah do të ecën ai qytetërim dhe vice versa. Disa besojnë që një qytetërim ngrihet mbi ‘mbeturinat’ e qytetërimit paraprak. Njëri favorizohet nga pësimi i tjetrit civilizim.’’Civilizimet janë si krijesat njerëzore, lindin, zhvillohen dhe në fund shuhen apo vdesin’’. Këtë analogjinë e fundit e bënin më së shumti intelektualët dhe profetët e përqafimit të ‘historicizmit’, të cilët besuakan që në të kaluarën ka pasur civilizime të këtij lloji (p.sh.si Amerika), por që me kalimin e kohës, dhe brishtësinë e rrethanave ekologjike, klimatike, politike (luftërat dhe konfliktet e ndryshme), shoqërore, ekonomike apo edhe psikologjike, ato u bënë ‘pluhur e hi’!Dhe tani janë nekro-civilizime, si: Inkasit, Atlandasët, Mayat, etj.

Pa u stërzgjatur në këto teorizime apo spekulime filozofike rreth ekzistencës dhe qëndrueshmërisë së Superfuqive në aspektin historik dhe kohor, është interesante të observosh satisfaksionin shpirtëror nga ata që i’a dëshirojnë ‘të mirën’ Amerikës: sadizmin e amerikanofobikëve, të rivalëve dhe anti-amerikanëve, tek sa vështrojnë SHBA-të se si po ballafaqohen me kriza dhe sfida të fillim shekullit XXI, si: sulmet e 11 shtatorit dhe shfaqja e larvave të terrorizmit bashkëkohor, lufta në Afganistan (2001) dhe Irak (2003), kriza financiare në Wall Street (2008), etj.

Pas luftës së dytë botërore Amerika ishte ndër shtetet më të fuqishme dhe ndër prijësit e qytetërimeve. Më tej, me shembjen e Murit të Berlinit, realisht ishte një botë mono-polare dhe njëdimensionale sa i përket vendimmarrjes së politikave ndërkombëtare dhe globale. SHBA-të ishin qendra e vendosjes, dhe shtetet tjera de facto mbetën në ‘periferi’ të arenës ndikuese në atë që quhet si rendi politikëbërës i botës.

Mirëpo, disa ngjarje që ndodhën në start të XXI në kontinentin amerikan, determinuan që roli i Amerikës të tkurret dhe distribuohet në mënyrë më multilaterale dhe kërkesë politike të krijimit të një rendi të ri botëror, ku aktorë do të ishin jo vetëm Amerika, por edhe shumë shtete e qytetërime të tjera, si Rusia, Kina, Bota islame, etj. Kjo realisht ende nuk ka ndodhë. Pra, një rend global më inkluziv dhe jo-përjashtues. Një botë multipolare dhe gjithëpërfshirëse. Natyrisht, Amerika nuk është tërësisht engjëll apo perfekt në ushtrimin e forcës së saj politike në planetin Tokë!

Së pari, për arsye të thjeshtë filozofiko-etike: Amerika përbëhet nga qeniet njerëzore; qeveriset, udhëhiqet dhe menaxhohet nga këto krijesa; dhe nga kjo premisë del gjykimi që nëse qeniet njerëzore janë të gabueshme, atëherë edhe mund të deduktojmë që veprimet e Amerikës mund të jenë të pamatura, të gabuara, të pa qëlluara, të demonizuara, e çka tjetër.

Së dyti, Amerika ka projektuar dhe ekzekutuar strategjitë e saj për të mënjanuar sfidat me të cilat është përballur sidomos pas ‘shtatorit të zi’, por që nuk parakupton gjithnjë në korrespondencë me zgjidhjen dhe zgjedhjen më adekuate, apo më ideale. Ka nevojë jo vetëm Amerika, por të gjithë ne njerëzit për autokritikë dhe introspeksion; rishikim të asaj se çfarë është bërë e nuk duhet bërë përsëri; për rishqyrtim të politikave të brendshme dhe të jashtme; për një inxhinieri të njëpasnjëshme dhe sistematike duke provuar dhe gabuar, dhe në fund fare një falsifikacion (Lexo:K.Popper), etj., mirëpo, nuk është e normale kënaqësia që po arrijnë kundërshtarët e SHBA-ve për regresin dhe ‘kohët e këqija’ që po i vijnë shtetit më të fortë (lexo:Amerikës) dhe është vërtetë shqetësuese. Ky lloj hedonizmi sadist për desktruktivitetin e tjetrit, kjo farë nekrofilie dhe anatemimi për Amerikën, sado që në dukje paraqitet si këshillëdhënëse, kritikë për avancime morale dhe progres të drejtësisë amerikane në botë, hakmarrje për veprime unilaterale të saj pa autorizimin e OKB-ve (si bombardimi i Serbisë, etj.) përsëri na shtyn të besojmë që homosapiensi i shekullit XXI ende në instiktin e tij e bluan agresivitetin, dhunën, hakmarrjen, mllefin.

Të përjetosh ndjesi të këndshme se Amerika po përjeton krizën financiare, falimentimin dhe bankrotimin e Bankave në Wall Street, pastaj kur dëgjon për humbjen e ushtarëve amerikanë në Tora Borë, Bagdad, e të ngjashme, rezulton me një anomali të shoqërisë dhe njerëzimit në përgjithësi.

Pavarësisht politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane, rrëfimet për keqtrajtimet, torturat dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Guantanamo, pushtimi i Irak-ut, vrasja e civilëve (pa qenë cak i tyre, por si fatkeqësi!) dhe shkatërrimi i plot qyteteve me renome historike dhe civilizuese në Irak, nuk duhet gëzuar faktit që Amerikës po i humbet forca e dikurshme si civilizim, së paku politikisht apo financiarisht.

Madje, edhe nga disa personalitete dhe qeveri të Evropës Perëndimore përshpejtohen gjykime dhe kritika ‘dashakeqe’ kundrejt politikave amerikane, si në dimensionin politik dhe atë financiar. Dhe të mos harrojnë evropianët paradigmën që një Amerikë e Fortë nënkupton edhe një Evropë të Fuqishme. Mos ta fshijmë nga kujtesa se Plani Marshall, ndihma për të rindërtuar ‘vajzën e bukur-Evropa’ (lexo: sipas mitologjisë!), bashkëpunimi për t’iu kundërvë Rusisë agresive, ndarja e vlerave të përbashkëta Amerikë-Evropë (Kujto: dyjat janë pjesë e asaj që e njohim si Civilizimi Oksidental), etj., janë të mjaftueshme për të arritur empatinë se sa relevante është asistenca evropiane ndaj Amerikës që të rimëkëmbet, rifuqizohet, apo mbyllja e gojëkëqijve se po vjen e ‘Marta’ për Amerikën.

Dëgjova që ministri i financave të Gjermanisë me një zë sikur të dëshirës dhe qejfit, duke u shprehur se: Amerika mos të mendojë më se është superfuqi financiare pas kolapsit dhe krizës financiare të shtatorit. Pra, vërehet dukshëm dhe qartë sikur shtetet evropiane me nënvetedijën e tyre janë të lodhur dhe nevrikosur me faktin se Amerika ishte ‘Mbreti i Botës’ që nuk i jepte askujt llogari dhe transparencë.’’Numrit të kujt t’i bie kur Amerika thërret Bashkimin Evropian?!’’(Kujto pytjen e famshme tw H.K.). Ky averzion ndaj vendimeve të njëtrajtshme dhe të njëanshme amerikane u rritë sidomos me ndërhyrjen në Afganistan, e thënë më saktë, lufta për të marrë territorialisht edhe Irakun.
Nëse kundërshtarët e Amerikës ndjejnë ekstazi dhe emocione orgazmike për problemet me të cilat po ballafaqohet kjo e përmendura, atëherë ata që së paku kanë sens për amerikanofili, për ata që besojnë se është më mirë, më qetë, më paqe me një Amerikë të Supërfuqishme; për një botë që menaxhohet nga Shtëpia e Bardhë që ka qenë më demokratikja, më e hapura, dhe më liberalja, së paku të mos ‘sjellin kobin e zi’ për Amerikën se ‘’kinse po i afrohet fundit, apo erdhi eskatologjia edhe për Amerikën’’, por të jenë ‘opozitë konstruktive’ në kritikë ndaj qeverive amerikane dhe ndaj politikës së tyre të jashtme.
Pra, me minimizimin e forcës së Amerikës, nuk po vijnë ‘ditë të mira’ as për botën. Mos të mendojmë dhe besojmë se një botë pa sundimin amerikan do të jetë më paqësore dhe më e drejtë. Parafytyroni tani për tani, një Kinë komuniste apo Rusi autoritare në vend të Amerikës. SHBA-të tek e fundit janë ‘e keqja e domosdoshme’ e shoqërisë njerëzore, kur tërheqim paralele me shtetet tjera për t’i prirë njerëzimit në rrugën e saj eksploruese, prosperuese dhe kurreshtare për të njohur veten dhe universin. Imagjinoni Ahmedinexhadin t’i prijë botës! Së paku për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, shkëlqesia dhe rënia e Amerikës, është edhe apokalispi ynë.

Pa një Amerikë stabile, qoftë financiare, apo humbje e moralit të saj për të qenë shembull të një modeli shoqëror, human dhe politik, anekënd gjeografisë ku shtrihen shoqëritë njerëzore, nuk mund të imagjinohet një shtet shqiptar konsistent, apo së paku i sigurt as në kontekstin rajonal e ballkanik, e të mos flasim globalisht që ‘shumë arinjë’ na shohin si një kafshatë apo supë e lehtë për një mëngjes dite! Të punojmë dhe të besojmë të gjithë për një Amerikë më të qëndrueshme, më të fortë, më demokratike, më liberale, më paqësore, më të drejtë, më prosperuese.!

Kaq për sadistët apo ‘ahmedinexhadët’ ndaj Amerikës!E, në fund fare, pavarësisht sfidave nëpër të cilat po kalojnë SHBA-të, fatmirësisht ato nuk janë të forta, por shumë të forta! Rroftë Amerika për shumë mote!Amin! 

/Autori është, Bachelor i Psikologjisë dhe Sociologjisë, aktualisht master në Sociologji/