Telegrafi

Agjentët e futbollistëve, 1 miliard euro fitime nga transferimet

Agjentët e lojtarëve po rezultojnë si ‘padronët’ e vërtetë të botës së futbollit dhe kjo duket nga shifrat marramendëse që ata përfitojnë nga lëvizjet në afatet kalimtare të klientëve të tyre.

Sipas një studimi të FIFA-s, që monitoron të gjitha tratativat nëpërmjet sistemit TMS, përfaqësuesit e lojtarëve që nga 2013 e deri tani kanë mundur të sigurojnë 1 miliard euro fitime vetëm nga funksioni i tyre si ndërmjetës në bisedimet mes lojtarëve dhe klubeve të interesuar.

Madje, viti 2016 është përkufizuar si viti i artë i agjentëve, duke qenë se fitimet e tyre pësuan një rritje me 34%.

Nga studimi i FIFA-s rezulton se në vitet e fundit, 98% e 1 miliard eurove është shpenzuar nga klubet evropiane, kontinenteve të tjera u mbetet vetëm kuota prej 2%. Studimi i FIFA-s jep me detaje fitimet e agjentëve të lojtarëve duke nisur nga viti 2013 e deri tani, ku vlera më e lartë është pikërisht ajo e vitit 2016, me 368 milionë euro.

Po kështu, të dhënat e FIFA-s tregojnë se klubet që pasurojnë më shumë agjentët e lojtarëve janë ata të kampionatit anglez dhe atij italian. Në fakt, Liga Premier është e paarritshme, pasi në 4 vitet e fundit skuadrat e kësaj lige kanë investuar për agjentët e lojtarëve 381.3 milionë euro. Ndërsa në Itali, fitimet e përfaqësueseve të futbollistëve kanë kapur vlerën e 256.3 milionë eurove. Shumë prapa në këtë pikë kanë mbetur Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca, shkruan tch.

Është edhe një e dhënë tjetër që meriton të studiohet. Në 4 vitet e fundit janë kryer 10875 operacione në afatet kalimtare. Në 1291 raste agjenti i futbollistit ka përfaqësuar edhe klubin që e ka blerë atë, në 238 tratativa agjenti ka përfaqësuar futbollistin dhe klubin që e ka shitur dhe në 105 raste, të tre palët kanë pasur të njëjtin agjent.