Site icon Telegrafi

Agim Ademi uron Prishtinën për fitoren e madhe

Zëvendës Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e uron dhe e përgëzon Prishtinën për kualifikimin historik në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.

Në ndeshjen e kthimit të rrethit parakualifikues, Prishtina shënoi fitore me rezultat bindës 5-0 kundër skuadrës Europa nga Gjibraltari, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Fitorja e sotme e FC Prishtina përballë FC Europa, me rezultat bindës 5:0 në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ishte e mirëseardhur për të gjithë opinionin futbolldashës në Kosovë”.

“Paraqitja dinjitoze e FC ‘Prishtina’ dëshmoi se futbolli ynë ka hyrë në rrugën e duhur dhe po ecën me hapa të sigurt drejt ngritjes së nivelit”.

“Kalimi i rrethit parakualifikues nga të dyja klubet tona që sivjet paraqiten në garat evropiane na jep shpresa të mëdha se në vitet e ardhshme futbolli ynë do të prezantohet edhe më fuqishëm”.

“Ndaj në emrin tim dhe KE të FFK-së, e përgëzoj FC ‘Prishtina’, drejtuesit e klubit, stafin, futbollistët dhe tifozët për këtë arritje të madhe, duke i inkurajuar që të japin më të mirën e tyre edhe në vazhdim të garave të Ligës së Evropës”, ishte urimi i Agim Ademit. /Telegrafi/

Exit mobile version