Site icon Telegrafi

20 shtëpi në Gushavc të Mitrovicës prej gati 10 ditë pa ujë të pijshëm, autoritetet i’a hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës

Fotografi ilustruese

Banorët e lagjeve “Bejtullah Sahiti” dhe “Rrahim Hajdari” në fshatin Gushavc të Mitrovicës prej gati dhjetë ditë janë pa ujë të pijshëm. Në këto dy lagje janë 20 shtëpi që po përballen me këtë situatë.

Banori, Jashar Sadiku në një prononcim për Telegrafin ka thënë se prej gati dhjetë ditësh nuk kanë ujë të pijshëm, shkruan Telegrafi.

Ai ka thënë se e kanë parashtruar kërkesën për rregullimin e këtij problemi tek Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” dhe se i kanë thënë se kanë dalë në terren.

“Nuk kanë ardhë ende të shikojnë dhe të tregojnë arsyen pse po ndodh kjo”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se pompat e ujit janë djegur dhe sipas tij, kjo është arsyeja pse i’u ka ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm.

Ai ka thënë se gjatë kohës kur nuk kanë ujë të pijshëm po mundohen të gjejnë forma alternative.

“Disa prej banorëve kanë puse, disa janë të detyruar të blejnë ujë të pijes dhe të bëjnë një zgjidhje në mënyrën e tyre të mundshme”, ka shtuar banori.

Bidonët, forma alternative e banorëve për furnizim me ujë të pijshëm. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Ndërsa banori tjetër, Sahit Hajra, për Telegrafin ka thënë se prej 12-13 vitesh kanë probleme me pompat e ujit.

“Askush nuk po na ndihmon, krejt me mjetet tona qe 3-4 herë i kemi rregulluar, por prapë po prishen”, ka thënë Hajra.

Banori ka thënë se e kanë adresuar këtë çështje tek autoritetet kompetente, por se nuk kanë intervenuar asgjë deri më tani.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Niman Baliu, për Telegrafin ka thënë se fshati Gushavc është në kompetencat e komunës së Mitrovicës Veriore dhe se sipas tij, shërbimet e tyre nuk shtrihen në këtë pjesë.

“Çështja e fshatit Gushavc është në kompetencat e komunës së Mitrovicës Veriore. Në veri ne nuk kemi qasje, duhet me bisedu me kryetarin atje dhe ata me jep përgjigje për atë pjesë”, ka thënë Baliu.

Baliu ka thënë se kjo çështje është “detyrë” e kryetarit të komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, transmeton Telegrafi.

“Aty nuk kemi qasje, është detyrë e kryetarit Erden Atiq”, është shprehur zëdhënësi i KRU “Mitrovica”.

Për këtë, Telegrafi ka kontaktuar edhe komunën e Mitrovicës Veriore për të marrë një version edhe nga ana e tyre, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Dy lagjet që po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Granit Tmava, për Telegrafin ka thënë se është optimist që KRU “Mitrovica” do të ofrojë zgjidhje.

Tmava ka thënë se si komunë “nuk merren” me çështjen e ujit të pijshëm, derisa është shprehur se duhet t’u dilet në ndihmë banorëve.

“Unë me banorët jam takuar, nëse ujësjellësi nuk i’u del në ndihmë, unë jam i interesuar me ju dalë në ndihmë. Jemi duke folur për dy lagje, duhet t’iu ndihmojmë banorëve”, është shprehur ai. /Telegrafi/

Exit mobile version