Telegrafi

Afro 14 mijë e 300 nxënës filluan mësimin në këtë vit shkollor në Mitrovicë, tekstet shkollore tashmë janë siguruar nga shumica

Fotografi ilustruese

Para tre ditësh ka filluar viti i ri shkollor në të gjitha shkollat e vendit, e njësoj ka nisur edhe në qytetin e Mitrovicës.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se për këtë vit shkollor janë përgatitur të gjitha shkollat në të gjitha aspektet teknike, sipas saj, në nivelin më të mirë që kanë pasur mundësi, shkruan Telegrafi.

“I kemi përgatitur shkollat në aspektin teknik, janë pastruar në mënyrë gjenerale, investimet kanë përfunduar. Ndërsa, disa shkolla që i kemi pasur në procedurë për disa meremetime janë gati të përfunduara, besoj që para sezonit të dimrit përfundojnë edhe ato. Pra, në Mitrovicë të gjitha shkollat kanë filluar mësimi më 2 shtator në gjendje të kompletuar të përgatitjeve për mësim”, ka thënë Kadriu.

Kadriu ka thënë se në Mitrovicë afro 14 mijë e 300 nxënës e kanë filluar mësimin në këtë vit të ri shkollor, duke shtuar se viteve të fundit ka pasur rënie të numrit të nxënësve por në anën tjetër ka pasur dhe rikthime të tyre nga diaspora.

Rikthimi i nxënësve nga diaspora, sipas Kadriut, u ka dhënë shpresë që disa familje do të kthehen sërish në Mitrovicë.

Ndërsa lidhur me sigurimin e teksteve shkollore, ajo është shprehur se nuk ka pasur shumë ankesa nga ana e prindërve përpos atyre që nuk kanë mundur të aplikojnë në platformën e-Kosova.

Kadriu është shprehur se në shkollat e Mitrovicës është shfaqur si dukuri fotokopjimi i librave.

“Kemi dhe një dukuri që sot gjatë vizitës në shkolla, disa drejtorë shkollash na thanë që është shfaqur si dukuri edhe fotokopjimi i librave, ndërsa mësimdhënësit dhe shkollat nuk kanë ndonjë mekanizëm që e ndalojnë këtë”, ka thënë tutje drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit.

“Është më e vështirë për prindërit dhe nxënësit kjo formë e subvencionimit edhe pse është më e re. Ne kemi dizajnuar një dokument i cili do të plotësohet nga shkolllat dhe do të raportohet çdo të premte për situatën e librave. Do të thotë këtë të premte e presim këtë dokument për të parë se si është situata e librave dhe teksteve shkollore që i kanë blerë prindërit”, ka shtuar Kadriu.

Qyteti i Mitrovicës është një qytet multietnik dhe këtë fakt, Kadriu ka shtuar se e cilësojnë si vlerë të shtuar, derisa ka bërë të ditur se ka nxënës të komunitetit boshnjak në shkollën fillore “Bedri Gjinaj” dhe në gjimnazin “Frang Bardhi”. Ndërsa në shkollën fillore “Andon Z. Çajupi”, ajo ka theksuar se është rritur numri i nxënësve nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian dhe turk.

Kadriu ka potencuar se në shkollat e Mitrovicës ka përfshirje edhe të nxënësve me nevoja të veçanta, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi funksionalizuar ekipin komunal për vlerësimin pedagogjik të dëmeve të fëmijëve në mënyrë që sipas rekomandimeve të këtij ekipi, të sistemohen nxënësit. Ky ekip shpesh rekomandon vijimin e mësimit nga këta nxënës në Qendrën Burimore “Nëna Terezë”, por edhe në shkolla ku ata i kanë shtëpitë sa më afër që të jetë e mundur”, ka vijuar ajo.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit ka deklaruar se janë punësuar pesë asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme për mësuese mbështetëse dhe asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta. Po bëjmë përpjekje për t’i sistemuar mësimdhënëset mbështetëse për t’i ofruar mbështetje këtij grupi të fëmijëve. Shpresojmë që në vitin e ardhshëm të rekrutojmë dhe asistentë të rinj”, ka përfunduar drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu.

Drejtoresha e shkollës fillore “Eqrem Qabej” në Mitrovicë, Agenta Syla Rama, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky vit i ri shkollor ka filluar pa probleme dhe se përgatitjet i kanë bërë paraprakisht.

“Në përgjithësi ka shkuar gjithçka sipas planifikimeve”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në këtë vit shkollor janë rreth 83 nxënës të rinj që kanë filluar klasën e parë dhe 52 të tjerë në ciklin parashkollor. Sipas drejtoreshës, janë regjistruar rreth 135 nxënës të rinj.

Për këtë vit shkollor, drejtoresha e kësaj shkolle ka treguar se kanë investuar në shtrimin e dyshimeve, në riparimin e disa shkallëve dhe se janë bërë disa investime në tualete dhe ujë.

Syla Rama është shprehur se nuk kanë pasur ankesa nga prindërit lidhur me furnizimin me tekste shkollore dhe se sipas saj, shumica prej tyre tashmë janë furnizuar me këto tekste.

Derisa, drejtoresha e shkollës së mesme së Mjekësisë “Dr.Xheladin Deda” në Mitrovicë, Drita Zanaj Qamili, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky vit shkollor ka nisur shumë mirë.

“Gjithçka është në rregull, kemi arritur që objektin shkollor ta pastrojmë brenda kohës që të mos humbim asnjë ditë.

Drejtoresha e kësaj shkolle është shprehur se janë rreh 50 mijë euro investime që janë bërë në këtë objekt shkollor nga Komuna e Mitrovicës.

Zanaj Qamili ka theksuar se janë 240 nxënës të rinj që janë regjistruar tashmë në këtë shkollë dhe se dega që ata kanë shprehur më shumë interesim sipas saj, është “bashkëpunëtor profesional i infermierisë”.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Sylejman Vokshi” në fshatin Broboniq, Naset Ademi, në në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky vit shkollor ka filluar pa probleme por sipas tij, vetëm kanë pasur disa telashe me tekste shkollore.

Ademi ka thënë se nuk pasur rënie të numrit të nxënësve në krahasim me vitet tjera.

Ai është shprehur se aktualisht nuk kanë ndonjë problem dhe se sipas tij, objekti shkollor përmban të gjitha kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor. /Telegrafi/