Një aeroplan pasagjerësh me rreth 62 persona në bord është zhdukur menjëherë pas nisjes nga kryeqyteti indonezian, Xhakarta.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, aeroplani humbi kontaktin gjatë rrugës për në Pontianak në provincën Kalimantan Perëndimore.
Faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24.com, tha se avioni kishte humbur në më shumë se 3 mijë metra lartësi në më pak se një minutë – dhe rreth 4 minuta pasi ishte nisur.
Lidhur me këtë rast dëshmitarët thanë se ata kishin parë dhe dëgjuar të paktën një shpërthim.
Peshkatari Solihin, i tha shërbimit indonezian të BBC se kishte parë një përplasje dhe kapiteni i tij vendosi të kthehej në breg.
“Aeroplani ra si vetëtima në det dhe shpërtheu në ujë”, tha ai.
“Ishte shumë afër nesh, copat e dërrasave gati sa nuk goditën anijen time”, u shpreh dëshmitari.
Një numër i banorëve të një ishulli afër vendit ku u zhduk aeroplani, thanë për BBC se kishin gjetur objekte që mendonin se ishin nga aeroplani. /Telegrafi/