Site icon Telegrafi

Aeroplani luftarak F-16 i ushtrisë amerikane rrëzohet në Korenë e Jugut, piloti arrin të katapultohet

Një aeroplan luftarak F-16 i Forcave Ajrore të SHBA-së u rrëzua sot pranë brigjeve të Koresë së Jugut, aksidenti i dytë që përfshin aeroplanët ushtarakë amerikanë në Korenë e Jugut në më pak se një vit.

Incidenti ndodhi gjatë një misioni stërvitor mbi ujërat në perëndim të Gadishullit Korean rreth orës 8:41 të mëngjesit, thuhet në kumtesën e bazës ajrore Kunsan, transmeton Telegrafi.

Piloti ka arritur të katapultohet dhe është shpëtuar 50 minuta pas rrëzimit, thanë Forcat Ajrore në një deklaratë. Piloti ishte i vetëdijshëm dhe u dërgua në një institucion mjekësor.

“Ne u jemi shumë mirënjohës ekipeve të shpëtimit të Koresë se Jugut dhe të gjithë shokëve tanë të skuadrës që lehtësuan rikuperimin e shpejtë të pilotit tonë”, tha në një deklaratë koloneli amerikan Matthew Gaetke.

Shkaku i aksidentit gjatë fluturimit është duke u hetuar. Përplasja e sotme, ishte aksidenti i dytë i një F-16 në Korenë e Jugut në më pak se një vit, megjithëse nuk ka asnjë indikacion se ata kanë lidhje. /Telegrafi/

 

Exit mobile version