Zyrtarë nga Tokio kanë kërkuar nga ushtria amerikane që të hetojnë incidentin, ku një aeroplan luftarak i ushtrisë amerikane kishte lëshuar rezervuarët me derivate në një rajon të banuar.
Mjetet e metalta janë gjetur në periferi të qytetit Fukauri, ku jetojnë rreth 7.000 persona. E kjo ka ndodhur në fillim të kësaj jave. Fjala është për pjesë të rezervuarit të aeroplanit luftarak amerikan F-16, transmeton Telegrafi
Të martën baza ajrore Misawa që gjendet në veri të Honshu, ka konfirmuar se ka ndodhur incidenti me aeroplanin luftarak amerikan F-16 Fighting Falcon.
Dy rezervuarë të jashtëm të derivateve janë lëshuar nga aeroplani para se të zbriste në pistën e aeroportit ndërkombëtar Aomori, e zyrtarë të kësaj baze fillimisht kanë konfirmuar lajmin nëse kanë rënë rezervuarët në zonën e banuar.
Në këtë incident piloti nuk është lënduar, kurse aeroplani për një kohë të caktuar ka mbetur në pistë duke penguar fluturimin e aeroplanëve komercial.
Ministria japoneze e Mbrojtjes ka kërkuar nga forcat amerikane që të fillojnë hetimet për këtë incident, e ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, ka kërkuar zbritjen e aeroplanëve luftarakë nëpër pista derisa të mos konfirmohet se janë të sigurtë për fluturim.
Guvernatori i prefekturës Aomori, Shinho Mimura, ka thënë se qeveria do të dërgojë notë proteste ushtrisë amerikane për këtë incident. /Telegrafi/