Site icon Telegrafi

Adrian Sadrija talenti që po shkëlqen në Norvegji, e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës

Adrian Sadrija pritet të jetë e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Talenti kosovar po shkëlqen në futbollin norvegjez, ku ka arritur të shënoj numër dyshifror të golave.

Në një intervistë për Telegrafin, Adriani flet për karrierën e tij, Kosovën dhe të ardhmen.

“Karrierën si futbollist e kam filluar në moshën gjashtë vjeçare në klubin Vardeneset ku jam aktualisht”, tregon fillimisht Sadrija për Telegrafin.

Ai aktualisht është golashënuesi më i mirë në klub ku ka shënuar 10 gola pas 10 ndeshjeve të zhvilluara.

“Kam shënuar 10 gola dhe jam i lumtur me formën momentale që jam duke kaluar”.

Sadrija thotë se është i gatshëm për të dalë në një klub më të mirë në Evropë.

“Edhe pse jam 17 vjeçar jam i gatshëm të dal në një klub më të madh për të luajtur”.

Djaloshi nga Peja do të luaj edhe për Kosovën U19 dhe për këtë është tejet i lumtur.

“Shpresoj sa më parë të luaj me Kosovën pasi kjo ishte dëshira ime dhe e prindërve që të luaj për vendlindjen time”, tha Sadrija.

Adriani synon që një ditë të arrijë majat e futbollit, ndërsa tregon edhe për lojtarët e preferuar që ka.

“Nga futbollistët shqiptarë më pëlqejnë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ndërsa nga të huajt Lionel Messi”.

E ardhmja e tij pritet të jetë në futbollin gjerman, pasi menaxheri i tij Besim Zeneli ka lidhje të mira në Bundesliga.

“Kam biseduar me menaxherin tim dhe mendoj që më së miri për mua është të luaj në Gjermani pasi edhe më pëlqen shumë si kampionat”, përfundoi Sadrija.

Kujtojmë që sulmuesi i talentuar kishte mundësi të luante edhe për grupmoshat e Norvegjisë por ai zgjedhi ta përfaqësoj Kosovën. /Telegrafi/

Exit mobile version