Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 13 tetor në Belgjikë, Adnan Rexhepi, kandidati i vetëm me origjinë shqiptare, ka shpallur kandidaturën e tij për të përfaqësuar komunitetin shqiptar në Komunën e Namurit. Duke u angazhuar për një përfaqësim dinjitoz, Rexhepi ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe që ai e konsideron si një mundësi unike për të forcuar zërin e komunitetit shqiptar në këtë zonë.
Në një deklaratë publike, Adnan Rexhepi ka theksuar rëndësinë e këtij angazhimi, duke vënë në dukje mbështetjen që ka nga bashkëkombasit e tij, partia ‘’Les Engagés’’ dhe Bougmesteri Maxime Prévot. Rexhepi është zotuar të jetë pranë të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake, për t’i shërbyer komunitetit dhe për të adresuar sfidat e përditshme që hasen në jetën e përbashkët.
“Kam marrë këtë përgjegjësi me dinjitet të madh, i bindur që kam mbështetjen tuaj,” ka thënë ai, duke kërkuar votën e shqiptarëve në këto zgjedhje vendimtare. “Kemi një shans të madh të jemi faktor në organizimin shoqëror dhe duhet të tregojmë se komuniteti shqiptar ka forcën dhe mundësinë të jetë i zgjedhur në vendimmarrje.”
Rexhepi ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unitet, duke theksuar se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultate të mëdha. Ai kërkoi mbështetjen e votuesve shqiptarë, me bindjen se një përfaqësim i fortë në Komunën e Namurit do t’i japë komunitetit një zë të rëndësishëm në vendimmarrjet lokale.
“Bashkë jemi të fortë!” është mesazhi i tij kryesor për zgjedhjet e ardhshme, duke i ftuar të gjithë shqiptarët të marrin pjesë aktivisht në këtë proces demokratik dhe të përkrahin përfaqësimin e tyre në institucione. /Telegrafi/