Zlatan Ibrahimovic pritet të bëjë një rikthim sensacional te Manchester Unitedi këtë javë, ndërsa Adidas i ka shtuar spekulimet se ai do ta veshë fanellën me numrin 10.
Suedezit i përfundoi kontrata në muajin korrik, ndërsa klubi e liroi nga detyra, pasi ai kishte pësuar lëndim serioz në ndeshjen ndaj Anderlechtit në muajin prill dhe ishte duke u shëruar.
Mirëpo, 36-vjeçari tash është rikuperuar dhe pritet të nënshkruajë kontratë të re njëvjeçare duke qenë se ai shkëlqeu duke shënuar 28 gola në edicionin e kaluar.
Numri 9 që e kishte bartur veterani te Djajtë e Kuq iu dha Romelu Lukakut, ndërsa duket se këtë sezon ai do ta bartë numrin 10 që është lënë i liri pas largimit të Wayne Rooneyt.
Në faqen e Adidasit në SHBA ka dalë në shitje fanella e Ibrahimovicit me numrin 10, së bashku me fanellat e transferimeve të reja, si Victor Lindelof, Nemanja Matic e Romelu Lukaku.
Përveç Rooneyt, këtë numër te Unitedi e kanë bartur ikonat, si Ruud van Nistelrooy e Bobby Charlton. /Telegrafi/