FC Ballkani evropian! Me të drejtë ky epitet tashmë mund t’i vendoset kampionit të Kosovës, i cili për të dytin vit radhazi do të bëjë gara në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke shkruar kësisoj historinë e klubeve kosovare dhe në përgjithësi atyre shqiptare sa i përket pjesëmarrjes në garat evropiane.
Në fakt, FC Ballkani bëhet klubi i vetëm nga mbarë viset shqiptare që merr pjesë për herë të dytë në fazën e grupeve të garave evropiane, duke vendosur kësisoj një standard të ri jo vetëm për futbollin kosovar, por në përgjithësi atë mbarëkombëtar.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e ka prerë biletën për në fazën e grupeve përkundër humbjes në ndeshjen e kthimit të fazës së ‘play-off’-it nga skuadra e njohur bjelloruese, BATE Borisov (0:1). Në fakt, Ballkani arriti ta menaxhojë epërsinë bindëse nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” 4:1, duke u kualifikuar më meritë tutje në garat evropiane.
Ndeshja e zhvilluar në Hungari u mbyll 1:0 për bjellorusët, me golin e vetëm të Artem Kontsevoy, në minutën e 30-të. Gjithsesi, kualifikimi i FC Ballkanit në fazën e grupeve për herë të dytë dëshmon rritjen e madhe që futbolli i Kosovës ka bërë viteve të fundit dhe njëherësh është frymëzim për zhvillim të mëtutjeshëm të Superligës dhe klubeve tona në përgjithësi.
Për këtë arritje të madhe klubin nga Suhareka e ka uruar edhe presidenti Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar:
Urimet më të përzemërta për FC Ballkani për arritjen e madhe në UEFA Conference League!
Një tjetër vit i suksesshëm për futbollin e Kosovës, një tjetër arritje për kampionin tonë, FC Ballkani!
Për herë të dytë radhazi kampionët tanë treguan fuqinë e tyre në skenën evropiane duke siguruar një vend në fazën e grupeve në UEFA Conference League.
Pas një fitore të mrekullueshme 4:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, FC Ballkani arriti të menaxhojë situatën në ndeshjen e kthimit kundër BATE Borisov, duke pësuar humbje të ngushtë 1:0, e cila ia mundësoi kualifikimin në fazën e grupeve.
Ky sukses është një rezultat i punës së palodhshme të secilit futbollist, stafit të trajnerëve në krye me Ilir Dajën dhe drejtuesve të klubit që kanë investuar në ndërtimin e një skuadre të fortë dhe kompakte për arenën evropiane.
Uroj tifozët ‘Xhebrailat’ për këtë sukses të klubit të tyre të zemrës, qytetarët e Suharekës dhe në përgjithësi të Kosovës, të cilët i dhanë forcë shtesë FC Ballkanit në edicionin e sivjetmë të garave evropiane!
Ky është një sukses jo vetëm për qytetin e Suharekës, por për të gjithë Kosovën dhe të gjithë ata që mbështetën kampionin tonë me zemër dhe pasion!
Tani presim me padurim fazën e grupeve, ku shpresojmë që FC Ballkani t’i sjellë edhe më shumë emocione, krenari e promovim futbollit tonë në skenën evropiane!
Urime e ju priftë e mbara! /Telegrafi/