Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të shtunën se “Kodra e Diellit” është lënë anash për katër vite nga pushteti lokal, nuk është investuar asgjë, ndërsa ai ka prezantuar planin e tij për investime dhe modernizim të Qendrës Tregtare, që është simbol i lagjes, në mënyrë që banorët të mos kenë nevojë të dalin në qytet për shërbime të ndryshme dhe rekreacion.
“Kodra e Diellit ka mbetur në mëshirën e fatit dhe nuk është investuar aspak në katër vitet e fundit. Në bashkëbisedim me qytetarët jam dakorduar për ndarjen e një buxheti të veçantë për ‘Kodrën e Diellit’, me një listë konkrete të projekteve të dorëzuara nga vet qytetarët”.
“Kjo Qendër Tregtare që ka qenë simbol i ‘Kodrës së Diellit’ do të rinovohet në tërësi me parkingje anash dhe nuk do të kenë nevojë banorët e kësaj lagjeje të shkojnë në qendra tjera tregtare dhe qendra rekreative më larg, por do të kenë qendrën e tyre moderne”, tha Abrashi.
Ai potencoi se kërkesë tjetër ka të bëjë me një projekt që prek krejt Prishtinën dhe ata janë qentë endacakë.
“Banorët e ‘Kodrës së Diellit’ janë ankuar shumë për rrezikun që paraqesin qentë endacakë dhe me këtë problem do të merrem që nga dita e parë si kryetar i Prishtinës. Këtë problem do ta zgjidhim me profesionistët e fushës, me ata që e njohin më së miri këtë fushë”, shtoi Abrashi.
Ai tha se do ta zgjerojnë rrjetin e ngrohjes qendrore në ndërtesat e “Kodrës së Diellit” dhe do të ndajnë buxhet shtesë për këtë projekt.
“Më parë ka pas investime në zgjerimin dhe përmirësimin e rrjetit të ngrohjes por në katër vitet e fundit kjo nuk ka ndodh”, tha ai.
Abrashi u zotua edhe për investime në ndriçimi publik, vendosjen e kamerave të sigurisë në zona të ndjeshme, fasadimin e disa objekteve dhe rregullimin e ashensorëve.
“Sa i përket ruajtjes së mjedisit, në zonat e gjelbra do të hapim puse dhe me sistemin pikë-pikë do t’i ujisim dhe mirëmbajmë këto hapësira të gjelbra, të cilat do të zgjerohen. Do të mbjellim 10 mijë drunj në vit në gjithë Prishtinën, dhe ‘Kodra e Diellit’ do të përfitojë nga ky projekt. Do t’i rregullojmë fushat sportive dhe këndet e lojërave dhe do t’i rregullojmë pushimoret në park”, nënvizoi Abrashi.