Telegrafi

Abrashi: Nuk besoj që dikush në LDK ka dëshirë të bëjmë koalicion me PDK-në (Video)

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Arban Abrashi, në një intervistë dhënë Telegrafit ka thënë se të gjitha çështjet janë bllokuar shkak i Demarkacionit dhe Asociacionit.

Abrashi paralajmëron se me marrjen e qeverisë do të synojnë që të kenë dialog gjithëpërfshirës.

“Do të kemi zhvillim të proceseve. Një çështje që ia kthen qytetarëve dinjitetin do të jetë edhe Liberalizimi i vizave”.

Sipas tij, koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa do t’i bëjnë numrat për të krijuar qeverinë pa pas nevojë që të bëjnë koalicion me ndonjë tjetër parti.

“Qëllimi ynë që të ndërtojmë një konsensus dhe pajtueshmëri që nuk e kemi pas deri më tani dhe proceset të ecin”, tha ai.

Ai po ashtu potencoi se subjekti i tyre politik vijë të kuqe e ka vetëm Partinë Demokratike të Kosovës.

“Nuk ka vullnet dhe nuk besoj që dikush në kryesi apo në parti do të ketë dëshirë që të bëjë koalicion me PDK-në. Elektorati ynë është ndier i tradhtuar nga PDK, ne e kemi gjet qeverinë me borxhe. U hap një program i madh me BE-në që askush se përmend sepse Demarkacioni dhe Asociacioni e kanë marr kohën e punëve tona. PDK-ja e ka ngulfat qeverisjen tonë”, shtoi Abrashi.

Abrashi tha se Ushtria dhe Demarkacioni janë tema të mëdha ku duhet një konsensus i madh, pasi sipas tij është çështje nacionale.

Kandidati për deputet nga LDK po ashtu tregoi dhe programin e tyre qeverisesh të përbashkët me partnerët e koalicionit, ku sipas tij qëllimi kryesor është zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

“E kemi një program me 40 faqe që gjendet në ueb faqen tonë, ku secili mund ta hap dhe ta lexoj. Qëllimi kryesor i këtij programi është zhvillimi ekonomik. Për ta arritur zhvillimin ekonomik dhe punësimin duhet të bëjmë lehtësira në biznes – krijimi i zonave ekonomike, importimi i makinerisë me zero taksa, lirimi nga taksat për tërë lëndën e parë, ndihma në punësimin e punëkërkuesve”, ka thënë Abrashi në intervistën dhënë Telegrafit.

Sipas tij, subjekti politik LDK-AKR dhe Alternativa do të arrijnë që ta rrisin buxhetin e Kosovës në qeverisjen e ardhshme.

“Ekonomistët dhe vet kandidati ynë për kryeministër është i bindur që mund ta arrijmë edhe 4 miliardshin, edhe pse tash është fushatë dhe vështirë që qytetarët besojnë”, tha tutje Abrashi.

Ai po ashtu potencoi se koalicioni i tyre nuk do të ndahet edhe pas zgjedhjeve.

“Strukturat tona janë shumë të ndërlidhura dhe do jenë bashkë. Por problemet po i shoh tek ana tjetër e koalicionit”, ka thënë ndër tjerash Arban Abrashi./Telegrafi/