Me qëllim të motivimit të të rinjve që të merren sa më shumë me sport dhe rekreacion, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vizituar qendrën e lojërave ‘bowling’ në “Albi Mall” në Veternik, ku ka premtuar hapësira më të mëdha sportive dhe rekreative për të rinjtë.
“Së bashku me Forumin e Rinisë së LDK-së, kemi vizituar Qendrën ‘Albi Mall’, për arsye rekreative por edhe për promovimin e sporteve. Komuna e Prishtinës do t’i kushtojë më shumë vëmendje sportit dhe rekreacionit”, ka thënë Abrashi.
Ai tha se çmimi ndërkombëtar që ka marrë ‘Albi Mall’ për ofrimin e lojërave ‘bowling’ nuk është vlerësuar nga komuna.
Ne do t’i përkrahim edhe bizneset private që sa më shumë të ofrojnë mundësi sporti dhe rekreacioni në kryeqytet.
Gjatë ditës së enjte Abrashi ka prezantuar Programin e tij për rini dhe sport, ku parashihen investime në infrastrukturën sportive, krijimin e ligave shkollore në Prishtinë, kthimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të komunës, ndërtimin e terreneve sportive dhe këndeve të lojërave për çdo lagje etj.