Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Veseli dhe PDK po e kopjojnë programin e LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë të enjten në një konferencë për media, se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po e kopjon programin e kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, në lidhje me krijimin e fondit të punësimit.

“Duam të theksojmë tendencën e PDK-së që të kopjojë programin tonë. Z. Veseli dje prezantoi Fondin për punësim, i prezantuar ditë më parë nga kandidati ynë në Prishtinë z. Abrashi. Ata nuk kanë nevojë të kopjojnë, nëse ju pëlqejnë programet tona mund t’i votojmë në zgjedhje”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se në ditët e fundit sërish po përsëriten praktikat e publikimit të lajmeve të rreme, të cilat e kanë burimin tek oponentët politik, PDK dhe Vetëvendosje.

“LDK do të zhvillojë një fushatë pozitive, e cila më tepër do të bazohen në shpalosjen e ideve tek qytetarët dhe këtë po e bëjmë në takimet e përditshme. Do të donim që këtë ta praktikojnë edhe partitë tjera. Fatkeqësisht kemi evidentuar shpërfaqjen e lajmeve të rreme në fushatë, në rend të parë kanë targetuar regjionin e Podujevës, por edhe komuna të tjera. Këto lajme duket që kanë një qendër dhe janë të dedikuara kundër LDK-së. Ne do t’i evidentojmë këto raste dhe do t’i raportojmë tek organet e drejtësisë”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, slogani për këto zgjedhje do të “Lidhja..”, e cila ka për qëllim lidhjen e Programit të LDK-së me qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi vendosur që gjatë fushatës të mos vendosim posterë, për shkak të uljes së shpenzimeve dhe ruajtjes së ambientit. Këtë praktikë e ka filluar kandidati jonë në Vushtrri, Xhafer Tahiri dhe kemi vendosur ta aplikojmë në të gjitha komunat”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Abdixhiku ka prezantuar detajet e fushatës së deritanishme të LDK-së në Vushtrri, Kaçanik, Han të Elezi etj, ndërkohë që janë mbajtur takime me biznese dhe shoqata të grave.

“Kemi filluar takimet rajonale të biznesit. Të parin e kemi mbajtur në Prishtinë ku kemi shpalosur Programin e LDK-së për zhvillim ekonomik lokal. I kemi prezantuar 10 shtylla të cilat vlejnë për të gjitha komunat dhe regjionet në Kosovë. Të njëjtën tryezë do ta mbajmë me biznese në Prizren të shtunën”, ka pohuar Abdixhiku.

Ai ka potencuar se janë mbajtur takime me shoqatat e grave ku kanë shpalosur programinlokal për gratë dhe kanë marrë rekomandime nga organizatat e grave.

Exit mobile version