Amir Abrashi ka lënë pas krahëve lëndimin që kishte pësuar në kokë gjatë seancës stërvitore me Freiburgun me datën 11 tetor.
Ai tashëm është shumë mirë dhe frika më e madhe ka kaluar për mesfushorin shqiptar, i cili është vënë në dispozicion të trajnerit Christian Streich, por rikthen qetësinë edhe në kampin e Kombëtares Shqiptare pasi ai do të jetë i gatshëm për sfidën e 12 nëntorit kundër Izraelit në “Loro Boriçi”.
Lajmin e konfirmon gazeta “Kicker”, sipas së cilës, mesfushori e ka hedhur pas krahëve dëmtimin dhe është rikuperuar plotësisht.
“Ai është bashkuar me skuadrën në seancat stërvitore të ditës së martë dhe të mërkurë dhe është gati për të zbritur në fushë”, thekson “Kicker”.
Si pasojë e dëmtimit të pësuar në kokë, Abrashi nuk u aktivizua në ndeshjen e kësaj fundjave ku Freiburg u mund 2-1 nga Hoffenheim.
Aktualisht, Freiburg renditet në vendin e 11 me 9 pikë dhe takimin e radhës do ta luajë të shtunën kundër Augsburgut.