Studimi i ri nga shkencëtarët amerikanë tregon se me krijimin e miqve të rinj shpesh i injorojmë marrëdhëniet me miqtë shumëvjeçarë nga fëmijëria, shkolla fillore apo ajo e mesme.
Studimi zgjati 18 muaj. Hulumtuesit studiuan 24 studentë dhe kalimin e tyre nga shkolla e mesme në universitet, një periudhë kjo në të cilën marrëdhëniet ndërnjerëzore janë shpesh të tendosura, përcjell koha.net.
Shkencëtarët ndoqën komunikimin e studentëve me mjedisin me anë të teknologjisë moderne dhe studiuan përpjekjet e studentëve për të ruajtur kontaktet me miqtë.
Edhe pse me kohë ndryshoi afërsia emocionale me miqtë e caktuar dhe pasi që miqtë e vjetër u zëvendësuan me të rinjtë, forma e tyre e komunikimit kishte mbetur e njëjtë. Nga kjo mund të konstatojmë se ata nuk i kishin zëvendësuar miqtë e vjetër me të rinjtë, sepse miqtë e rinj janë më të përshtatshëm, por për shkak të disa rrethanave të tjera.
Me fjalë të tjera, studentët nuk kishin shpenzuar më shumë kohë në ruajtjen e marrëdhënieve ndërnjerëzore, sepse kishin më shumë miq, por kishin kaluar më pak kohë në miqësitë e vjetra dhe në fund koha e kaluar me miqtë kishte mbetur e njëjtë.
Kjo mund të duket shqetësuese, por studiuesit theksojnë se nuk do të duhej të na brejë ndërgjegjja, sepse miqtë zakonisht i zëvendësojmë në mënyrë krejtësisht të pavetëdijshme. /Telegrafi/