Telegrafi

A është dashuria Art?

Mire Prenaj,
sociologe

Dashuria, si koncept, tani mendoj se është shndërruar në diçka jo shpirtërore, por obliguese. Ajo çka hasim në literaturën e posaçme, në citatin e shkëputur nga Bibla, konkretisht vargjet e Shën Palit për dashurinë, dallojnë shumë nga ato që ne hasim në përditshmërinë tonë. Poashtu, do të kisha veçuar edhe faktorin kyç tek njeriu, ‘Vetëbesimin’ i cili është urë lidhëse më të gjithë faktorët e tjerë, në të shumtën e rasteve që mungon ajo më e rëndësishmja në përmbushjen e vetvetes.

Kur jemi të kënaqur me vetveten ndjejmë qetësinë, sigurinë dhe kontrollin, atëherë kemi mundësinë t’i kanalizojmë apo t’i sistemojmë gjërat në dobinë tonë dhe në të mirën e shoqërisë. Sipas shumë analizave, mjeshtëria e dashurisë në martesë është pikërisht thjeshtësia.

Te dashuria romantike, erosi zotëron fazat e hershme të një marrëdhënie dashurore, që si shembull kemi dashurinë e Romeo’s dhe Xhulietës, ku më shumë do të quhej si dashuri impulsive. Në anën tjetër, e kemi racionalen, ku lidhjet e ndërsjella bëhen me vetëdije të plotë.
Arti i të dashuruarit
Duke u nisur nga mendimi se dashuria është art, në shumicën e rasteve dashuria nuk trajtohet si shumë serioze, por si diçka obliguese. Në librin e Erich Fromm, gjejmë se dashuria merret si variant i dytë në jetë – jo si parësore, krijuar kjo nga kushtet dhe rrethanat në të cilat jetojmë. “Çdo njeri në këtë planet është i inicuar në dashuri “Besëlidhja e Re” u thotë “ta doni njëri-tjetrin”.

Uspenski, filozof rus, në veprën e tij “Telcium Organum” shkruan “dashuria është fenomen kozmik dhe se njeriu hapë botën e dimensionit të katërt, botën e të çuditshmes” . Pikërisht Art është kur dashuria nuk bën kompromise me xhelozinë dhe materializmin, por është e pastër dhe nuk kërkon asgjë për kthim, ajo gëzohet kur jepet. Dashuria e pastër, jo egoiste, ia tërheq vetes atë që është e saj; këtu na paraqitet arti i mirëfilltë i dashurisë. Kur flasim për artin e mirëfilltë dua të them se nuk mjafton vetëm të flasim për dashurinë, nëse nuk hyn në praktikë po e njëjta gjë. Por, nëse kërkojmë atë që nuk e kemi dhënë, atëherë kjo i bie se teorinë e dashurisë e njohim mjaftë mirë, por për të praktikuar – nuk kemi provuar! Dua ta shkëpus edhe një paragraf ku shkruan se “Asnjë njeri nuk është armiku yt , çdo njeri është mësuesi yt”, prandaj duhet të lirohemi nga personaliteti ynë dhe të mësojmë atë çka shohim tek njerëzit e tjerë dhe t’i marrim ato çka na përshtaten.
Në shumicën e rasteve në të cilat mungon ajo më e rëndësishmja, është vetëbesimi si faktor i domosdoshëm në përmbushjen e vetvetes. Kur jemi të kënaqur me vetveten, ndjejmë qetësim, siguri dhe kontroll. “Njeriu kur ndonjëherë e kupton drejtë ndonjë problem apo edhe situatë, vetëm atëherë mund të krijojë qëndrim dhe mendim të caktuar për të. Kjo do të thotë që, secili qytetar mbi moshën madhore, pasi është edhe bartës i sovranitetit dhe formues i opinionit publik, duhet të jetë i informuar për planet dhe vendimet që i merr”. Kështu, vetëbesimi është ai që më së shumti i kontribuon ngritjes së moralit dhe nivelit të guximit për të vazhduar tutje me sfidat të cilat janë urë kalimi për neve.

Martesa
“Dashurinë dhe lumturinë në martesë mund ta realizojnë ata që në vetën e tyre zbatojnë disa parime të thjeshta të arsyes së shëndoshë.” Sipas shumë analizave që i kamë bërë gjatë këtij punimi, jam e pajtimit se mjeshtëria e dashurisë në martesë është pikërisht thjeshtësia. Gjatë një bisede me një respodent, rreth kësaj teme, tha: “Dashuri është lidhje emocionale dhe shpirtërore e një mashkulli dhe një femre e cila nuk përjashtohet se mund të jetë e ndikuar nga interesa të caktuar duke mos e përjashtuar edhe atë material, konfesional, etj. Megjithatë, natyrisht se pa harmonizim të interesave dhe çështjeve që janë të ndërlidhuara me jetën e përbashkët institucionale në bashkëshortësi, vlerësoj se një çift mund të merr vendim për bashkëshortësi. Vlerësoj se jo në të gjitha çështjet harmonizohen mes çiftit para marrjes së vendimit për bashkëshortësi, por besoj se pjesa më e rëndësishme e tyre duhet të jenë të harmonizuara. (A. M). Poashtu edhe me një respodente gjatë intervistës me të, ndër të tjerash tha: “Unë jam martuar me bashkëshortin tim, sepse e kam pa një të ardhme të mirë me të dhe e kam pare se ai e ka një kulturë më të mirë se ana regjionale prej nga jam unë. Mua nuk më ka interesuar se si ai qëndron ekonomikisht, as nuk kam qenë e dashuruar marrëzisht, por e kam llogaritur jetën time se si do të funksionoj në të ardhmen me të. Tani pas shumë vitesh e kemi një martesë te mirë” Pra, në të dy rastet, është e harmonizuar ndjenja e jetës së përbashkët.

Dashuria mund të kuptohet edhe si një përkujdesje në sfera të ndryshme të jetës, qoftë e asaj familjare, prindër-fëmijë, shok-shoqe, jo vetëm të asaj erotike, por edhe një përkujdesje të jetës shoqërore. Nga një analizë e shkurtër që i bëri Erich Fromm jetës së Zigmund Frojdit, pamë se ai kishte një marrëdhënie dhe një lidhje pak sa më të veçantë me nënën e tij, ku ai si fëmijë nënën e shihte si realizim i të gjitha dëshirave, madje shpesh herë bëhej edhe xheloz karshi vëllait dhe motrës më të vogël. Kur nëna e Frojdit e mësonte motrën e vogël të luante me piano, ai e inskenoi një skenë penguese ku u detyruan ta largonin pianon nga shtëpia e tyre që vetëm Frojdi të gjente qetësinë. “Afeksioni i thellë i Frojdit ndaj nënës, që në pjesën më të madhe fshihet ndaj të tjerëve dhe me sa duket, edhe ndaj vetvetes, ka rëndësi të madhe, jo vetëm për të kuptuar karakterin e Frojdit, por edhe për vlerësimin e një prej zbulimeve më themelore – kompleksin e Ediptit.Dashuria pa kushte
Dashuria nuk ka kushte, ajo nuk sheh të keqen, nuk sheh xhelozinë, nuk ndan fetë e as kombet, e këtë fuqi e ka vetëm dashuria. Duajeni njëri-tjetrin. Këto fjalë janë thënë më se dymijë vjet më parë. Edhe apostulli Shën Pali, në vargjet e tij, na e sjell një version shumë të artë dhe origjinal për dashurinë, Ndër të tjera, ai shkruan:
“Po ti folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha por si bronzi që kumbon, e por si cimbali që tingëllon.
Po ta kisha dhuratën e profecisë, e ti dija të gjitha misteret, e të gjitha dituritë.
Po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën do t’i shndërroja vend maleve,
Por po të më mungonte dashuria s’do të isha asgjë…!”.

Dashuria ndër të tjera është edhe pjesa përbërëse themelore e njeriut. Pa të njeriu është vetëm si objekt i zbrazët, bosh. Në shumicën e rasteve problemi i dashurisë qëndron se si të të duan, dhe jo si të dashurosh ti vetë! Në këtë mënyrë ka shumë preferenca të ndryshme, Në njërën anë janë preferencat e interesit, duke u nisur nga karakteristikat e meshkujve, të jetë i suksesshëm, të ketë pushtet e pasuri, ndërsa nga ana femërore është bukuria, të jenë sa më tërheqëse nga veshja e bukur, qëndrimi, mençuria, ndershmëria, sinqeriteti, etj.

Romantikja dhe racionalja
Janë dy teori të dashurisë më të përhapura tek qasjet që letrarët i bëjnë në krijimet e tyre: dashuria romantike dhe ajo racionale. “Dashuria romantike ose pasionale (Erosi), përmban një komponent të fuqishëm seksualiteti dhe magjepsje dhe shpesh zotëron fazën e hershme të një marrëdhënie dashurore“ Poashtu dashuria romantike haset në romanin Romeo e Xhulieta, ku dashuria perceptohet si ideal që nuk mbaron kurrë, mirëpo ka prej teoricien që këtë qasje ndaj dashurisë e vlerësojnë si impulsive, pasionante për një kohë shumë të shkurtër që në shumicën e rasteve paraqitet tek moshat e reja.

Dashuritë racionale janë lidhjet e personave që bëhen me vetëdije të plotë, përzgjedhje e partnerit me arsyeshmëri, kryesisht interesi. Sipas disa definicioneve mbi këtë koncept kuptojmë se edhe perspektiva racionale edhe romantike kanë bazë të vërtetësisë, ndërsa se cilës i takojmë krejtësisht varemi nga zhvillimi ynë gjatë gjithë jetës.

Dashuria është një motiv i shpresës, në të kundërtën do të ishte një jetë boshe. Dashuria ka forcën të na bashkojë, pa i mohuar tjetrit dinjitetin e tij, unin e tij. Vetëm dashuria nuk ushtron një ndjenjë xhelozie, as tek njerëzit, as te kombet. Vetëm dashuria është e aftë të mos e ndajë njerëzimin, as nga ideologjia, as nga raca. Vetëm dashuria mund të na japë energjitë e pashtershme, të nevojshme për të zhdukur urinë dhe dëshpërimin.

Praktikja dhe teorikja
Procesi i zotërimit të një arti mund të ndahet në dy pjesë: pjesën teorike dhe atë praktike. Pjesa teorike është kur ju dini si të bëni veprën, por kjo nuk do të thotë se ju e zotëroni veprën, sepse veprën mund ta zotoni vetëm pas një praktike të gjatë. Përveç zotërimit të teorisë dhe praktikës, artin me të cilin punoni, duhet ta keni motiv kryesor për ta realizuar veten tuaj. Fromm tërheq vëmendjen tonë duke na thënë se gjithë jetën e kalojmë pas leksioneve se si të bëhemi të dijshëm, të pasur, të fuqishëm dhe autoritar, ndërsa harrojmë të merremi me ushqimin e shpirtit tonë, dashurinë. Ai reflekton duke thënë se është bërë zakon të mendohet se të dashurosh është diçka e thjeshtë, kurse të gjesh ndonjë objekt për të dashuruar ose të të dashurojnë, është vërtetë shumë e vështirë. Poashtu është bërë zakon të mendojmë se ai që dashuron është mendjelehtë, ose i pavlerë, ose i pasinqertë. Të sigurt jemi se nuk mund të dashurojmë me të vërtet dikë tjetër pa pasur qëllime të tjera! Ne nuk e llogarisim kohën dhe energjinë që jemi duke harxhuar duke mësuar apo duke punuar, sepse gjithmonë llogarisim se jemi duke bërë diçka të dobishme për jetën tonë. Ndërsa, dashurisë e cila i sjell shpirtit freskinë që nuk blihet, por vetëm dhurohet ose fitohet – nuk i kushtojmë shumë kujdes. /Telegrafi/