Telegrafi

A dini të argëtoheni?

Çdo gjë në botë mund të aktrohet, nga orgazma deri te gjoja njohja e librit për të cilin bisedohet në shoqëri, mirëpo pa marrë parasysh potencialin tuaj prej aktori, vështirë do të mund aktroni se ndjeheni mirë në aheng, në qoftë se jeni ulur vetëm, me askënd nuk bisedoni dhe në përgjithësi ndjeni se aty nuk ka vend për ju. Ky është një mendim i parafrazuar i shkrimtarit amerikan Fitzgerald, i cili kohën më të madhe të jetës e ka kaluar në ahengjet të ndryshme amerikane në vitet 20 të shekullit të kaluar dhe saktë e di se për çfarë flet. Në qoftë se nuk dëshironi që t’ju mbajnë mend si vajzë e cila nuk di të argëtohet, ndonëse jeni e temperamente në situata të panjohura, patjetër duhet të mësoni diç për atë se si të argëtoheni.

Është me rëndësi të dini, konstatojnë psikologët amerikanë, se si të ecet në lokalin në të ciin gjenden disa grupe të ndryshme, të cilat domosdo formohen në ato raste. Secili aheng ka disa vende tejet të nxehta dhe tejet të ftohta – në qoftë se i hetoni se ku gjenden ato, pothuajse ia keni arritur qëllimit – për një argëtim sa më të mirë.

Fillimi është vendimtar

Në qoftë se keni marrë pjesë në shumë ahengje me siguri keni mundur të vëreni një fakt të rëndësishëm: kur dikush i ri hyn në lokal, të gjithë kthejnë kokën nga ai. Ndonjëherë fillon edhe ndonjë pëshpëritje me zë të ulët apo edhe ndonjë shikim. Ai është një çast ideal që edhe në situatat e pakëndshme të mësoni që të mbani kokën lart, të flakni të gjitha ngecjet dhe të ballafaqoheni me sfidat e shoqërisë.

Sado që kjo do të mund të jetë e mundimshme për ju, patjetër femra e pasigurt duhet që lëvizjet e trupit (ulje të kokës, përmirësim i flokëve, hap të shpejtë që sa më parë t’u ikë shikimeve) t’i zëvendësojë me diç krejtësisht tjetër, me qëndrim pozitiv dhe me besim në vetveten. Në qoftë se e njihni shoqërinë, por në aheng keni arritur me vonesë, prezantohuni me pompë: ngrijeni kokën, ecni me guxim, kërkoni ngadalë personin që e njihni ndër të pranishmit dhe buzëqeshni, dhe mos vraponi në drejtim të atij personi si kur kërkoni ndonjë strehim.

Kur njëherë të hyni sikur divë, me rënësi është që të mbeteni e tillë. Patjetër duhet të gjeni karizëm për ju. Ç’është në të vërtetë karizma? Faktor i sharmit, mundësi që të joshni të tjerët, që t’i bëni për vete në një kuptim krejtësisht të padjallëzishëm. Si bëhet kjo? Personat me të cilët njiheni shikojini drejt në sy, madje edhe ndoshta një pjesë sekonde më gjatë seç është e rëndomtë (mos e teproni, për të mos u dukur se me dëshpërim po tentoni të bëni diç që nuk ju shkon përdore). Dhe tash – ajo më e rëndësishmja: tregoni entuziazëm, bisedoni me të tjerët dhe jepjani shansin të tjerëve që të intersohen për ju. Askush këtë nuk mund ta bëjë brenda një sekonde; andaj të jeni e durueshme dhe pothuajse te secili do të zbuloni diç interesante.

Për të diplomuar me sukses në shkollën e sharmit, duhet të angazhoheni rreth personit te i cili keni ardhur – mikpritësja, organizatorja e ahengut, madje edhe në qoftë se në aheng keni ardhur rastësisht, me ndonjë mik tuajin. E para, këtë e kërkojnë rregullat e mirësjelljes dhe, e dyta, do të mund t’ju ndihmojë po qe nevoja. Vetëm mikpritësi mund t’ju tregojë se kush është kush, kush me se merret dhe kush është personi "me interes të posaçëm". Derisa jeni duke e përshëndetur, fitoni kohë për vëzhgim: ushqimin, miqtë, "armiket" tuaja të përhershme. Këtë mund ta bëni vetëm derisa jeni duke iu përgjigjur nikoqires, madje në atë mënyrë që të duket sikur jeni duke menduar për atë se çfarë doni t’i thuani, e jo sikur jeni duke e vlerësuar situatën.

Pasi të keni përfunduar bisedën, ngadalë filloni të planifikoni tërheqjen. Kjo nuk do të duhej t’ju paraqesë problem, sepse nikoqirja me siguri do të dëshirojë që të bisedojë me të gjithë mysafirët dhe do të jetë e preokupuar me obligimet rreth shërbimit të tyre. Ndoshta do të dëshironit të shkonit drejtpërdrejt e të merrni një pije, aq më parë kur shikoni shampanjën e cila si përherë do t’ju eliminojë barrierat sociale, mirëpo ekspertët na bindin se vendi juaj te pijet është në rend të tretë, e jo i dyti. Pikësynimi tjetër është ushqimi: ky është një territor më pak "i rrezikshëm". Kur është fjala te pijet, meshkujt mund t’ju propozojnë diç, ndërsa te tavolina e ushqimit mund të njoftoheni me ta. Dhe, siç e dini, në situata të tilla rregulla më e rëndësishëm është: mos u ngut dhe mos i kalo rregullat.

Është me rëndësi të dini se si të silleni midis grupeve të ndryshme, të cilat formohen në aheng

Udhëzimi nr. 1. Në qoftë se dëshironi të merrni informacione për mashkullin i cili qëndron afër dritares, për te merr informacione vetëm te miqtë dhe te nikoqirja. Mos pyet njeriun e parë që do t’ju vijë pranë. Interesimi juaj për të mund të zbulohet dhe do të ndjeheni keq kur ai të marrë vesh para se të keni krijuar rastin që të njoftoheni me të.

Gjejeni një vend të sigurt
Ushqimi dhe pijet në aheng rëndom vendosen diku në ndonjë skaj të sallës. Në ato vende mysafirët tubohen më së shumti, andaj më së lehti mund të filloni bisedimin jopretencioz. Është e udhës të shikoni se çfarë kanë zgjedhur të tjerët nga ushqimi dhe sipas saj vlerësoni se kujt duhet t’i drejtoheni. Në qoftë se vëreni se ndonjë vajzë ka marrë ndonjë sandviç me plot majonezë dhe djathë, apo ndonjë ëmbëlsirë me arra dhe çokollatë, duhet ta dini se ai person ka vendosur të kënaqet në aheng dhe më lehtë do të miqësoheni me të se me ndonjërin i cili nuk di si të veprojë, madje edhe në aheng kërkon që të gjejë diç që ka pak kalori për të mos fituar në peshë.

Udhëzimi nr. 2. Çfarë të bisedohet pas komentimit të rëndomtë rreth ushqimit në tavolinë. Duhet të mësoni se biseda e rëndomtë për temat e përditshme është njëra ndër aftësitë më të mëdha jetësore. Ekzistojnë rregulla të cilat mund t’i mësojmë nga librat për aftësitë komunikuese. Për shembull, mysafirët të cilët sapo i keni njohur, aq më parë në ato rrethana joformale, mos i pyetni se çfarë profesioni kanë dhe ku jetojnë. Për fillim më mirë është pyetja: "Çfarë punoni, kur nuk punoni?" Pastaj vazhdoni të zhvilloni bisedën. Në qoftë se ndokush merret me alpinizëm, pyeteni se ne cilat bjeshkë është ngjitur, me kë, çfarë është interesante në atë sport. Ndoshta do t’ju ndodhë që të njiheni me dikë i cili interesohet për të njëjtat gjëra sikur edhe ti. Në qoftë se hasni mu personin i cili në punë e kalon tërë ditën, dhe shumë pak gjëra e interesojnë jashtë punës, provojeni trukun e vjetër: "Nga e njeh ti nikoqiren tonë të sotme?"

Pas "llomotitjeve preliminare" definitivisht mund të shkoni të merrni ndonjë pije. Aty është vendi i shkëlqyeshëm për njoftimin me persona të rinj: shumica aty dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë se rëndom, ndërkaq meshkujt, kur është fjala për pijet, – janë më të gatshëm për bisedë, më të gatshëm që t’ju gjenden pranë dhe do të sillen në mënyrë galante. Madje edhe ata të cilat i konsiderojnë qesharakë do të jenë të gatshëm t’ju mbajnë pallton, bëhen më të përzemërt dhe të gatshëm për sjellje xhentëlmene. Mirëpo, përmbajuni këshillës së nënës: më shumë se dy-tri pije në shoqëri të cilën nuk e njihni mirë nuk është ide e mençur, ndërkaq koktejet, të cilat posaçërisht lehtë mund t’ju turbullojnë mendjen, pini përherë pasi të keni pirë një gotë të madhe me ujë.

Udhëzimi nr. 3. Në qoftë se takoheni te bari me mashkullin me të cilin assesi nuk dëshironi ta kaloni mbrëmjen, përdoreni pretekstin më të rëndomtë: "Nuk mund të besoj se këtu jam tashmë gjysmë ore dhe ende nuk e kam përshëndetur shoqen time". Në qoftë se niset pas jush, bashkoju shoqes dhe duke biseduar me të nisuni nga skaji tjetër i sallës. Madje edhe mashkulli më i mërzitshëm do të kuptojë se keni ndonjë temë interesante dhe me siguri do të shmanget nga ju.

Në qoshe, askënd mos e pengo
Tash kur e keni thyer akullin dhe keni dëshmuar se jeni vajzë e kalibrit botëror, duke joshur disa njerëz të panjohur në aheng, mos hezitoni: uluni me shoqërinë tënde dhe argëtohu. Mirëpo, ekspertët mu këtu vendosin disa barriera të caktuara: mos prejudikoni pamjen se ju dhe shoqja juaj jeni klikë e posaçme së cilës në asnjë çast askush nuk guxon t’ju ofrohet. Qëndroni ashtu që secili që dëshiron t’i bashkohet ekipit tuaj të vogël, mund në çdo çast ta bëja atë. Në qoftë se dikushi është gjendur mjaft afër sa që ka mundur të dëgjojë një pjesë të bisedës suaj, ndihmojini që t’ju afrohet, buzëqeshni dhe drejtojuni: "Hë, edhe juve ju ka ndodhur diç e ngjashme?"

Nuk do të bëhemi të ashpër që t’ju ndalojmë që me shoqen t’i përgojoni të pranishmit. Ndoshta pikërisht ashtu do të nxitni natyrën tuaj spirituoze dhe llomotitëse, mirëpo kur përgojoni dikë, duhet ta bëni atë qetë dhe në mënyrë diskrete.

Udhëzimi nr. 4. Shmanguni pjesëve të lokalit ku ka dritë të madhe, ne të cilat edhe make-up më i përsosur të tregon tepër të zbehtë dhe mos qëndroni afër altoparlantëve të mëdhenj. Ato janë vende të cilat çdokush dëshiron t’u shmanget. Përse të mos u shmangeni edhe ju. Mirëpo, mos u uluni edhe tepër komod në kanape, sepse do t’ju konsiderojnë se jeni një vajzë e lehtë dhe se çdokush mund t’ju ofrohet. Natyrisht, derisa të mos ju ofrohet djaloshi, i cili ju ka pëlqyer që nga çasti i parë, mos u uluni.

Shoqëria e cila është cool
Ata të cilët e ndiejnë veten të sigurt, instinktivisht vendosen në mes të lokalit, sepse janë plot vetëbesim dhe dëshirojnë që të jenë të vërejtur nga të gjithë. Si të bëheni pjesë e fushës së tyre magnetike, por që të mos duket se jeni imponuar. Qëndroni përafërsisht një metër nga grupi cool dhe provoni të vëni komunikim me sy me ndonjërin nga ta. Në qoftë se pas dy-tre minutash nuk arrini qëllimin tuaj, duhet të përdorni teknikën tjetër. Afrojuni edhe pak grupit dhe provoni që të hetoni se çarë po bisedojnë. Kur të konsideroni çastin më të volitshëm, thjesht dhe në mënyrë indiskrete shtrojani një pyetje, e cila nuk bën të jetë agresive, lidhur me temën e bisedave. Në qoftë se edhe kjo përpjekje dështon, atëherë duhet të tërhiqeni sa më parë të shkoni në banjë dhe ta pudrosni hundën.

Udhëzimi nr. 5. Derisa jeni duke e "skicuar" terrenin apo derisa jeni duke shkuar në banjë, shmanguni skajeve të vdekura: vendeve në të cilat vdes secila iniciativa për argëtim, më shpejt se martesa e Dennis Rodmanit dhe Carmen Electre, muret në të cilët mbështeten të gjitha vajzat e gjora e pasigurta, të cilat edhe nuk kanë aq vullnet për t’u argëtuar sa për t’u fshehur dhe për të mos u vërejtur në prapavijë të dhomës.

Zona e nxehtë
Në rregull, e keni pudrosur hundën, keni qitur një shtresë të shkëlqyesit të ri dhe tash jeni e gatshme për finalen e aksionit: djaloshi që ju ka pëlqyer apo dështimi juaj total. Keni zgjedhur djaloshin të cilin për fat të keq e kanë zgjedhur tërë vajzat. Tash është momenti që definitivisht të testoni aftësitë tuaja. Në qoftë se është vetëm, apo në qoftë se është nisur për të marrë ndonjë pije, në banjë apo vetëm ashtu është ndarë nga vajza e cila një kohë të gjatë e ka "maltretuar" – thjesht duhet patjetër t’i afroheni dhe t’i thuani: Tung! Nuk ju është i nevojshëm ndonjëfarë mendimi i thellë. Kujtohuni sa ju irriton kur ndokush ju ofrohet me ndonjë fjali të përgatitur që më parë, të cilën e ka provuar te qindra vajza të tjera në raste të tjera. Në qoftë se është i interesuar që të vazhdojë bisedën me ty, edhe një përshëndetje e tillë e shkurtër do të jetë një nxitje e mjaftueshme.

Mirëpo, në qoftë se keni vendosur për një hap të tillë derisa ai është i rrethuar nga "mafia" e vajzave të gatshme për aksion, do t’ju nevojitet taktika tjetër. Ose krejt ose hiç. Qëllimisht përthekojeni shtrembër këmishën apo tregoni një barsoletë më të mirën të cilën e keni dëgjuar kohën e fundit. Të gjitha vajzat e tjera me siguri do të aktrojnë divën cool seksi, dhe cilado taktikë e shakasë, do të ju mundësojë që t’ju vërejë. Por, si të veprosh në qoftë se nuk di ç’është humori? Harrojeni menjëherë, kujt do t’i nevojitej një mashkull i tillë!

Udhëzimi nr. 6. Në qoftë se në aheng keni shkuar me miken tuaj, është mirë që me të edhe të ktheheni në shtëpi, pos në qoftë se më parë nuk jeni marrë vesh që të ndaheni po qe se do të keni ndonjë "takim të afërt" me dikë. Në qoftë se djaloshin e përsosur keni arritur që ta argëtoni dhe të interesohet për ju, ai edhe ashtu do t’ju paraqitet në mëngjes. Mos e zhgënjeni miken tuaj për shkak të njoftimit të ri. Kjo në një afat të gjatë fare nuk ju shpërblehet.

Ikja grandioze nga skena
Si ta dini se ka ardhur koha për të ikur nga ahengu? Kur konsideroni se jeni argëtuar mirë, ndërkaq edhe lodhja vërehet fare mirë në fytyrën tuaj, kur të vëreni se kanë pushuar të qeshurat dhe nikoqirja juaj ka filluar të mbledhë dhe t’i lajë gotat, koha është që të përshëndeteni. Madje, pa u hamendur. Kurrë nuk bën të ikni e fundit, posaçërisht në qoftë se nuk e njihni nikoqiren apo personin i cili ka organizuar ahengun. Gjithsesi, në qoftë se konsideroni se atë mbrëmje e keni kaluar më së miri në jetën tuaj, mos e ndërpritni për shkak të arsyeve formale.

Shkurt, binduni ndjenjave tuaja, andaj edhe ikjen dhe çdo gjë në aheng, bëjeni në mënyrë spontane. Në këtë mënyrë do të eliminoni gabimin themelor i cili mund t’ju ndodhë në qoftë se dëshironi të argëtoheni: mos e aktroni divën e paprekshme. Shumë më keq do të kaloni. /Telegrafi/