Site icon Telegrafi

35 fotografi risjellin “Vushtrrinë e Vjetër”, mbahet ekspozita që zgjon nostalgjinë e qytetarëve

Ekspozita “Vushtrria e Vjetër përmes fotografive të shkrepura nga Nesim Ispahiu”

Në Vushtrri është mbajtur ekspozita që përmes 35 fotografive të Nesim Ispahiut tregon versionin e vjetër të këtij qyteti. Këto fotografi janë të veçanta e që janë pjesë e një hulumtimi të realizuar muaj më radhë në Vushtrri.

Kjo ekspozitë e mbajtur dje quhet “Vushtrria e Vjetër përmes fotografive të shkrepura nga Nesim Ispahiu”, derisa njëra nga autoret e kësaj ekspozite, Shukrane Begu ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje.

Begu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se përmes fotografive të përzgjedhura është ekspozuar Çarshia e Vjetër e Vushtrrisë, nga vitet e 40-ta deri në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Në këto fotografi shihen dyqanet e mjeshtërive artizanale dhe esnafët e qytetit të Vushtrrisë, shkruan Telegrafi.

Ajo është shprehur se në disa fotografi shihen monumentet e trashëgimisë kulturore si “Sahatkulla”, xhamia e vjetër e Çarshisë së Vushtrrisë dhe rrugët e vjetra me kalldrëm. E në mesin e tyre ka fotografi që dëshmojnë ardhjen e makinës së parë motorike në vitin 1941, bendin muzikor frymor “Hasan Prishtina” gjatë viteve 1916 – 1919, urën e vjetër të drurit, fotografitë familjare, të mësimdhënësve dhe të nxënësve gjatë viteve 1940 – 1960 e të tjerë.

Ekspozita “Vushtrria e Vjetër përmes fotografive të shkrepura nga Nesim Ispahiu”

Begu ka treguar se autor i shumicës së fotografive është Nesim Ispahiu, por edhe xhaxhai i tij Nazmiu, i cili i’a kishte mësuar këtë profesion nipit të tij.

“Autor i shumicës së fotografive është fotografi Nesim Ispahiu, por edhe xhaxhai i tij Nazmi Ispahiu, i cili i’a kishte mësuar këtë zanat Nesimit nga mosha 6 vjeçare. Këtë zanat, Nesimi e ushtron për 80 vite dhe ende merret me fotografi, ani pse tani është në të 90-tat”, ka theksuar Begu.

Begu ka potencuar se ekspozita ka për qëllim të ekspozimit të pamjeve historike dhe rezultateve të dalura nga hulumtimi.

Ekspozita “Vushtrria e Vjetër përmes fotografive të shkrepura nga Nesim Ispahiu”

“Ekspozita në fjalë ka dalë si një produkt nga hulumtimi im i realizuar për vite me radhë pasiqë unë punoj në Muzeun e Vushtrrisë. Por në muajt e fundit jam marrë intesivisht me ‘hulumtimin e dokumentimit të fotografive në Komunën e Vushtrrisë’ falë përkrahjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka vijuar ajo.

Autorja ka deklaruar se ka pritshmëri që ekspozita do të mirëpritet nga qytetarët sepse sipas saj, çdo qytetar do të gjej diqka nga e kaluara nostalgjike, transmeton Telegrafi.

“Përmes kësaj ekspozite unë pres që qytetarët të sjellin edhe më shumë fotografi, duke u frymëzuar nga ato se çka shohin”, ka potencuar tutje Begu.

Mes të tjerave, ajo ka bërë të ditur se ka pasur “sfida të bukura” gjatë hulumtimit të fotografive, siç është shprehur autorja, “çdo fotografi e shkrepje ka një histori”.

Në përfundim, autorja e kësaj ekspozite, Shukrane Begu u shpreh mirënjohëse dhe falënderuese ndaj fotografit Nesim Ipahiu dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e dhënë gjatë rrugëtimit. /Telegrafi/

Ekspozita “Vushtrria e Vjetër përmes fotografive të shkrepura nga Nesim Ispahiu”

 

 

Exit mobile version