Telegrafi

Me 31 tetor çështja e Kosovës në CAS, pritet fitore ndaj Serbisë

Federata Serbe e Futbollit i është drejtuar CAS të Lozanës për të hedhur poshtë vendimin e UEFA-s për pranimin e Kosovës si anëtare më të drejta të plota e organizatës ndërkombëtare.

Sipas listës së seancave dëgjimore të KAS, çështja në fjalë do të merret në shqyrtim më datë 31 tetor.

Anëtarët e UEFA-s votuan 28-24 në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë, vendim që i hapi rrugën pranimit të kosovarëve pak ditë më vonë edhe në FIFA, duke u njohur ndërkombëtarisht në futboll dhe duke u përfshirë në eliminatoret e Botërorit 2018.

Serbia asnjëherë nuk ka fituar në CAS

Serbët e cilësuan këtë një “votë politike” dhe kërcënuan me gjyq në KAS, duke harruar se nga zyrat e Lozanës nuk kanë dalë asnjëherë fitimtarë.

Në të gjitha rastet e mëparshme, si ndaj ish-trajnerit Radomir Antic, Shqipërisë apo UEFA-s, pala serbe ka humbur gjithmonë në CAS, që tregon qartësisht se pretendimet me të cilat është paraqitur atje kanë qenë të kota apo krejtësisht të paargumentuara.

Kuptohet që gjyqi i palës serbe do të jetë kundër UEFA-s, e cila ka marrë këtë vendim, ndërsa pala kosovare do të jetë thjesht spektatore në këtë çështje pasi është institucioni i futbollit ai që do të provojë se vendimi i marrë nga anëtarët e saj është mëse i drejtë dhe i ligjshëm.