Site icon Telegrafi

27-vjetori i Epopesë së UÇK-së – Komuna e Skenderajt bën homazhe tek kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Me rastin e 27 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Adelina Spahiu, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, asamblistë, drejtorë, deputetë, familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Ata vendosën buqeta me lule për të vazhduar me homazhe përkujtimore edhe në Memorialin e Dëshmorëve në Marinë, shkruan Telegrafi.

“Me këtë rast u vlerësua lartë lufta dhe sakrifica e komandantit legjendar, Adem Jashari, e familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për nder të Epopesë së UÇK-së, është mbajtur edhe seanca solemne nga Kuvendi Komunal i Skenderajt, ndërkaq në palestrën sportive “Ilaz Kodra” është zhvilluar turneu tradicional në volejboll në konkurrencën e femrave.

“Aktivitetet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, përkatësisht më 6 dhe 7 mars. Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version