Site icon Telegrafi

26 vjet nga masakra e Reçakut, të mbijetuarit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi

Qindra qytetarë e përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, gjatë së mërkurës kanë vizituar kompleksin e Reçakut në Komunën e Shtimes. Aty ku 26 vjet më parë u vranë dhe u masakruan 45 civil të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë. 15 janari hap plagë të shumta dhe sjell vuajtje për banorët e këtij lokaliteti. Aso kohe Reçaku është shfaqur në shumë media botërore. Pas masakrës, rifilluan luftimet prej 48-orësh në mes të UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave sepse Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Në mbrojtje të banorëve atë ditë ranë dëshmorë edhe dhjetë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Deri tash vetëm një person është dënuar për krime lufte në Reçak, por që nuk e ka vuajtur dënimin.

Edhe pas 26 vitesh të mbijetuarit e kësaj masakre vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, me arsyetimin se deri më tash nuk është bërë asgjë nga institucionet e vendit për zbardhjen e kësaj masakre.

Ramë Shabani, nga Reçakut i kishte parë për së afërmi forcat serbe duke ua vrarë e masakruar familjarët, të afërmit dhe banorët e tjerë të këtij lokaliteti. Ai kishte depërtuar të largohej duke u shtrirë në tokë si i vdekur.

Në “Kodren e Bebushit” forcat serbe mblodhën banorët dhe aty e realizuan masakrën.

“Kam mbetur i vetmi i mbijetuar i kësaj masakre që isha prezent në “Kodren e Bebushit” derisa po kryhej masakra. Të tjerët që patën arritur të shpëtojnë me mua, tash kanë vdekur. Unë atë ditë që e kujtoj si sot, arrita të largohem pak metra më larg në një përroskë dhe kam qëndruar i shtrirë si i vdekur deri në orët e vona të mbrëmjes. Të gjithë i kam parë duke i vrarë. Aty ka pasur banorë pa zemër, pa kokë, pa gjymtyrë të trupit. Prandaj ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi sepse deri më tash nuk është punuar asgjë nga institucionet e shtetit. Serbët që kanë marrë pjesë në këtë masakër ata dita ditës mund të mos jenë pjesë e kësaj bote sepse koha po kalon kurse institucionet tona po heshtin”, ka thënë Shabani.

Ndërkohë, gjatë së mërkurës nën patronatin e Qeverisë së Kosovës janë organizuar një varg aktivitetesh që përkujtojnë këtë masakër.

Në Kompleksin Memorial në Reçak kanë bërë homazhe, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë është organizuar edhe një akademi përkujtimore për të shënuar 26 vjetorin e masakrës së Reçakut. Me këtë rast Presidentja Osmani ka thënë se Reçaku është një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë që luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë.

“Sikurse çdo vjet edhe sot jemi në Reçak, në fshatin e vogël por me histori të madhe. Aty ku 26 vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës. Në një ditë të zymtë të janarit të vitit 1999, 45 banor të Reçakut, burra, gra e të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes”, ka thënë presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se deklaratat e ambasadorit William Walker ishin denoncime zyrtare në emër të komisionit verifikues të OSCE-së ndaj forcave serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.

“Këto raportime të William Walker, e treguan brutalitetin që po bëheshin në Kosovë dhe ndryshuan diskursin ndërkombëtar ndaj luftës në vendin tonë. Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton dënoi vrasjet që u bënin ndaj 45 shqiptarëve nga forcat serbe dhe u kujdes që trupat e NATO-s të ishin të gatshëm për veprim. Më 24 mars të vitit 1999 avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve në Jugosllavi për t’i dhënë fund luftës në qershor të atij viti”, ka thënë kryeministri Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version