Telegrafi

25 vjetori i rivarrimit të dëshmorëve në Gjilan, Hyseni: Dëshmorët u bënë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja jonë

Për nderë të 25 vjetorit të rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së të ZOK-it, janë bërë sot homazhe në nderim të tyre, në Gjilan.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se një dëshmor është simbol i guximit, i dashurisë për atdheun dhe i përkushtimit të pakufishëm për lirinë e popullit.

“Dëshmorët janë ata që kanë ngritur flamurin e lirisë në lartësitë më të larta të historisë sonë”, tha Hyseni.

I pari i Gjilanit shtoi se vlera e tyre qëndron në faktin se ata nuk luftuan vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen.

“Nëpërmjet sakrificës së tyre, ata u bënë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja jonë”, tha kryetari Hyseni.

Ndryshe, përpos kryetarit të Komunës së Gjilanit  Alban Hyseni, për homazhe ishin edhe zv. ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, deputeti i Kuvendit të Kosovës Luan Aliu, komandanti i Stacionit Policor në Gjilan Agim Lipovica, drejtorë, këshilltarë e zyrtarë komunalë, përfaqësues politik, ushtarakë të FSK-së e ish-UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve. /Telegrafi/