Telegrafi

25 vjetori i çlirimit të Gjilanit, Morina – Bunjaku: Liria që e gëzojmë nuk është dhuratë, por rezultat i sakrificave

Sot shënohet 25 vjetori i çlirimit të qytetit të Gjilanit dhe për nder të kësaj dite komuna ka bërë organizime të ndryshme.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku në emër të institucioneve komunale gjatë seancës së Kuvendit Komunal në një fjalë rasti tha se sot është një ditë e veçantë për qytetin e Gjilanit.

Morina – Bunjaku tha se kjo ditë kujton sakrificat, guximin dhe unitetin e popullit.

“Sot është një ditë e veçantë për komunën tonë, një ditë që na kujton sakrificat, guximin dhe unitetin e popullit tonë. Jemi mbledhur për të shënuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë. Në këtë ditë solemne, ne nderojmë të gjithë ata luftuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo theksoi se duhet kujtuar me respekt dhe mirënjohje dëshmorët dhe aleatët që na dhanë mundësinë të jetojmë të lirë.

“Kujtojmë me respekt dhe mirënjohje  dëshmorët, aleatët tanë ndërkombëtarë që na dhanë mundësinë të jetojmë të lirë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm”, ka theksuar ajo.

Nënkryetarja thekson se liria që e gëzon populli nuk është dhuratë, por rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme.

“Liria që gëzojmë nuk është dhuratë, por është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme, prandaj është detyrim i yni të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ruajtur vlerën e lirisë”. /Telegrafi/