Duke filluar nga ora 07:00 për të vazhduar deri në ora 19:00 qytetarët e Republikës së Kosovës në 941 qendra votimi, ku prej tyre 903 do të shërbejnë për votim të rregullt, me gjithsej 2533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, do të kenë të drejtë vote, në zgjedhjet e para të rregullta parlametare që nga shpallja e pavarësisë.
Në Komunën e Gjakovës të drejtë vote kanë 119 mijë e 237 votues, ndërsa numri i qendrave të votimit në Komunën e Gjakovës është 37, ku 36 prej këtyre vendvotimeve janë të rregullta, ndërsa një qendër do t’u shërbejë votuesve që do të votojnë me kusht.
Ndërsa 58 mijë e 338 qytetarë të Komunës së Rahovecit, do të kenë të drejtë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në 36 qendra votimi që janë në dispozicion, ku një nga këto qendra u dedikohet votuesve që do të votojnë me kusht, me gjithsej 79 vendvotime në këtë komunë.
Numër i njejtë i qendrave të votimit është edhe në Komunën e Malishevës, ku 55 mijë e 154 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote, përveç 35 qendrave të rregullta të votimit, të drejtën e votës me kusht do ta kenë të drejtë ta ushtrojnë edhe në një qendër e cila është e dedikuar për ata që do të votojnë me kusht.
Ndërsa Komuna e Junikut, ka vetëm dy qendra të votimimt, dhe të drejtë vote në këtë komunë kanë 5292 votues, ku si në të gjitha komunat njëra nga këto qendra të votimit në këtë komunë do të jetë për votim me kusht.
Kujtojmë që për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë. /Telegrafi/