Telegrafi

2011, Vit i Ri, Jetë e re!

Viti i Ri lind ndjenja kontradiktore: nga njëra anë, gëzim për vitin e ri, i cili simbolizon një fillim të ri; melankoli nga ana tjetër, për vitin që mbaroi, bilanci i të cilit për shumicën ka një "ekuilibër pasiv".

Gjatë gjithë vitit, dita juaj e përditshme ishte e mbushur me ankth, angazhimet në punë ju dukeshin "mal", ndërkohë që çdo vizitë tek prindërit tuaj përfundonte me grindje dhe zënka.

Dhe, Viti i Ri ju gjeti me një listë më të madhe dëshirash sesa ajo e fëmijës tuaj për Babagjyshin e Vitit të Ri, e fatkeqësisht nuk prisni që gjyshi me veshjen e kuqe t’ua plotësojë. Ajo që mund të bëni është ta merrni vetë situatën në dorë, duke guxuar ndryshime të vogla që do ta përmirësojnë rëndësishëm jetën tuaj.

Përmirësoni kujtesën tuaj
Histori e vërtetë: një mikja ime u nda me të dashurin e saj pas shumë vite lidhjesh. Për disa muaj nuk kishte asnjë kontakt me të, por për festa vendosi ta merrte në telefon dhe ta uronte. Atëherë, kuptoi e shokuar se, nuk e mbante më mend numrin e tij, në të cilin telefononte çdo ditë për 4 vite me radhë. Mbajmë mend vetëm çfarë ka rëndësi për ne.

Çfarë mund të bëni
Nëse doni të "kyçni" diçka në kujtesën tuaj, konsiderojeni të rëndësishme.
* Rregulli nr 1: Jepini rëndësi. Shënoni në mendjen tuaj sirtarin ku keni lënë çelësat tuaj, emrin e një njeriu që sapo njohët, vendin ku parkoni makinën.
* Rregulli nr 2: Lidheni informacionin me diçka që do t’ju ndihmojë ta mbani mend. Për shembull, në rastin e. parkimit; "stamponi" një shenjë karakteristike, si p.sh. rrugën ose një dyqan që ndodhet aty pranë.
* Rregulli nr 3: Kujtojeni herë pas here informacionin me veten tuaj. Vetëm kështu do të siguroheni se nuk do ta harroni.

Shkoni mirë me njerëzit tuaj
Nuk është e nevojshme të bëheni miq me familjarët që ju nxjerrin jashtë kontrollit. Qëllimi juaj është t’i bëni të kuptojnë se, prej shumë vitesh tashmë jeni rritur dhe ju e meritoni respektin e tyre, megjithëse disa herë sillen me ju sikur të ishit fëmijë.

Çfarë mund të bëni
Herën e ardhshme që do të vizitoni prindërit tuaj, luteni partnerin tuaj t’ju shoqërojë. Kështu do të dekurajoni mamanë, që është shumë mbrojtëse ndaj jush. Në përgjithësi është e rëndësishme të përcaktoni me saktësi kufijtë midis jetës tuaj dhe tyres. Mund të kërkoni këshillën e tyre për një problem të tuajin, që ata të ndihen të dobishëm dhe ju të përfitoni nga eksperienca e tyre, por mos i lini t’i zgjidhin ato për ju ose t’ju ndihmojnë ekonomikisht. Dhe kjo, sepse kështu u lejoni të ndërhyjnë në çështjet tuaja.

Përballoni shqetësimet tuaja
"Do të hyjë në universitet fëmija im?", "Me peshën që kam fituar, ndoshta bashkëshorti im mendon se s’jam më tërheqëse?!", "Shumë të rënë e shoh mamanë time. Ndoshta është e sëmurë?"

Çfarë mund të bëni
Problemi nuk është se, keni shumë gjëra që ju shqetësojnë, por nuk dini me çfarë mënyre t’i kapërceni ato. Fillimisht, një skicë në një fletë me tre kolona do t’ju ndihmonte.
Në të parën, shënoni gjithë shqetësimet tuaja. Në të dytën, përshkruani skenarin më të keq. Në të tretën, shënoni 3-4 "strategji", me të cilat mund t’i përballoni. Nga to, zgjidhni më të realizueshmen dhe zbatojeni pa pritur të vërtetohen frikat tuaja: bëjini kurse private fëmijës tuaj që të përmirësohet në mësime; filloni një dietë që të humbni kilet e tepërta; mbushini mendjen mamasë të bëjë një kontroll të përgjithshëm. Do të shikoni se antidoti i vetëm kundër shqetësimit është të veproni.

Bëhuni më të mira në punën tuaj
Në zyrë, ju del një problem që duhet ta zgjidhni dhe një koleg është ai që gjen zgjidhjen. Sigurisht do të donit të ishit ju në vendin e tij, por ndieni që ju kanë shteruar idetë. Mos u dekurajoni. Duke adoptuar disa teknika, mund ta vini mendjen të punojë në shpejtësi më të madhe ose… të koordinoni llambën e frymëzimit që të ndizet në momentin e përshtatshëm.

Çfarë mund të bëni
* Ndiqni recetat e provuara. Sa herë që, gjendeni afër një deadline, pyesni veten: "Kur ishte hera e fundit që jam përballur me ndonjë situatë të ngjashme? Si e menaxhova atëherë?" Nëse për shembull duhet t’i mbushni mendjen një klienti "të vështirë", që të rrisni mundësitë e suksesit, kujtoni si ia kishit dalë në të kaluarën që t’ia mbushnit dikujt mendjen.
* Kërkoni zgjidhje "jo të drejta". E bëni në jetën tuaj të përditshme, madje edhe pa e patur mendjen, për shembull kur hapni një kuti të mbyllur me çelësat e shtëpisë. Çelësat nuk janë bërë për këtë përdorim, por duke parë se forma e tyre të kujton biçakun, mundet shumë mirë në këtë rast t’ju hyjnë në punë. Kështu edhe në punë. Nuk dini si ta filloni një prezantim? Mos rilexoni për të 100-tën herë materialin tuaj, shfletoni libra të vjetër ose diskutoni me një koleg me eksperiencë, që të gjeni një histori interesante që të mund ta lidhni në ndonjë mënyrë me temën tuaj.

Rregulloni çfarë keni lënë pezull
Shtyrja për më vonë, jo vetëm që ju shkakton vazhdimisht ankth, por ekziston rreziku që t’ju ekspozojë. Megjithatë, duke ndjekur disa këshilla të vogla, mund ta kontrolloni:

Çfarë mund të bëni
* Filloni nga diçka. Nuk ka rëndësi nëse do të filloni punët tuaja duke rregulluar sirtarin tuaj ose duke shkuar në bankë.
* Vendosni afat. Vendosni një afat kohor të arsyeshëm, p.sh një orë që t’ia dilni mbanë misionit tuaj. Shmangni pushimet.
* Bëni një gjë çdo herë. Në kohën që merreni me, një punë, mos mendoni çfarë detyrime të tjera keni lënë pezull, telefonatat që duhet të bëni ose emaileve që duhet t’u përgjigjeni. Përkushtojuni. punës që keni në dorë. Shumica prej nesh e lëmë përgjysmë një punë, sepse mendojmë se nuk do të, arrijmë ta përfundojmë. Por në të vërtetë ato që na vonojnë janë 100 gjërat e tjera që bëjmë në të njëjtën kohë.
* Shpërbleni veten tuaj me diçka që ju pëlqen, si për shembull një film në DVD, por gjithmonë kur përfundoni atë që keni për të bërë.
* Hiqni qafe të vështirat. Filloni me detyrën më kërkuese ose më të mërzitshme. Mbani mend se, është më i lodhshëm mendimi se keni një detyrë pezull, sesa vetë përfundimi i saj.

/Telegrafi/