Në kuadër të 161-vjetorit të lindjes së heroit, Isa Boletini në Muzeun e Mitrovicës është mbajtur tryeza diskutuese “Rreth jetës dhe veprës së Isa Boletinit”.
Ky aktivitet është hapur me interpretimin e himnit kombëtar nga kori i Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”, nën dirigjimin e mjeshtrit Yll Daklani, shkruan Telegrafi.
“Ngjarja pati pjesëmarrje të gjerë nga nxënësit dhe drejtues të shkollave të mesme, si dhe përfaqësues të Fakultetit ‘Isa Boletini’”, thuhet në njoftim.
Pjesa kryesore e aktivitetit ishte paneli diskutues me historianin, Enis Kelmendi dhe Gazmend Boletini, pasardhës i familjes Boletini.
“Diskutimet ndriçuan rolin e Isa Boletinit si një figurë kyçe në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe trashëgiminë e tij historike dhe familjare, ngjarje kjo e moderuar nga drejtoresha e Muzeut të Mitrovicës, znj. Nora Prekazi”, thuhet tutje në njoftim.
Kjo ngjarje ka frymëzuar një ndjenjë krenarie për të mbajtur gjallë kujtesën e tij për brezat e ardhshëm. /Telegrafi/