Mbrëmë në qytetin e Mitrovicës u mblodhën 14 organizata të rrjetit të arsimit parauniversitar “Roscap” për të bërë një peticion “për shpëtimin e arsimit”.
Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Toka”, një prej 14 organizatave pjesëmarrëse në peticion, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se përmes këtij peticioni i’u drejtohen Kuvendit të Kosovës me tri prioritete për sektorin e arsimit, shkruan Telegrafi.
“Ne, 14 organizatat jemi bërë bashkë për një peticion drejtuar Kuvendit të Kosovës me tri prioritete kryesore për shpëtimin e arsimit”, ka thënë Gjurgjeala.
Ajo ka thënë se prioriteti i parë është që mësimdhënësit e moshës 55 deri 64 vjeçare ta kenë mundësinë e pensionimit të parakohshëm vullnetar.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Toka” ka thënë tutje se prioriteti i dytë është që të riorganizohen shkollat me më pak se 60 nxënës sepse sipas saj, mësimi nuk është cilësor kur brenda një klase është një 10 vjeçar dhe një 15 vjeçar.
Ndërsa, prioriteti i fundit i këtij peticioni, Gjurgjeala tregon se është që mësimdhënësit të vlerësohen për të qenë mësimdhënës më të mirë.
“Nuk jemi këtu për t’i gjykuar, mësimdhënësit janë produkti i të njëjtit sistem të cilin jemi duke u munduar ta renovojmë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka deklaruar se se ky peticion ka filluar pikërisht në “Ditën e Mësuesit” më 7 mars dhe do të përfundoj tani në shtator, derisa shpjegon se kanë qenë të pranishëm në shumë qytete dhe se deri më tani janë mbledhur mbi gjashtë mijë nënshkrime.
Gjurgjeala ka theksuar se kanë pasur reagime të ndryshme nga qytetarët, transmeton Telegrafi.
“Ka një llojllojshmëri të reaksioneve, ka njerëz që janë shumë të entuziazmuar dhe e kuptojnë vlerën e përmirësimit të arsimit që është baza e shoqërisë sonë. Ka të tillë që dinë të jenë skeptik, por kur u tregojmë arsyet nënshkruajnë me shumë dëshirë. Natyrisht, ka edhe qytetarë që vendosin të mos nënshkruajnë që edhe kjo pjesë është plotësisht e kuptueshme”, ka theksuar tutje Gjurgjeala.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate ka thënë se janë urgjente reformat në arsim.
Më tej, ajo ka potencuar se është optimiste që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe institucionet tjera t’i shohin si aleatë që këto tema t’i shtyjnë përpara së bashku. /Telegrafi/