Telegrafi

Më 11 maj mbahet grevë në të gjitha njësitë operacionale të KEDS/Kesco

Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që më 11 maj duke filluar nga ora 08:30 të fillojë grevën një-orëshe, në të gjitha njësitë operacionale të KEDS/Kesco.

Siç bëhet e ditur në njoftim, vendimi është marrë pas refuzimit të menaxhmentit për realizimin e kërkesës për ngritje page në vlerë prej 100 euro.

Po ashtu, bëhet e ditur se është vendosur të formohet Këshilli Grevist i punëtorëve të KEDS/Kesco, pjesë e së cilit do të jenë të gjithë anëtarët e kryesisë së FSPE-së.

“Ky hap do të jetë vetëm hapi i parë sindikal dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK), ka njoftuar që më datën 12 maj do të mbahet grevë një-orëshe për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

Pas takimit me sindikatat, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.

“BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.

“Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore”, ka deklaruar Jasharaj./Telegrafi/