Drejtori i ZZHTI, Jovan Despotovski dhe kryetari i Organizatës japoneze për tregti të jashtme, JETRO dakorduan tri nisma të reja për rritje ekonomike, të bazuara në bashkëpunim ndërmjet ekonomisë dhe kompanive të Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, informojnë nga ZZHTI.
“JETRO ka një rrjet që mbulon mbi 2 milionë kompani japoneze të vogla dhe të mesme dhe u ofron atyre instrumente të ndryshme mbështetëse për investime. Tashmë kemi rënë dakord për bashkëpunim jo vetëm në fushën e tërheqjes së investitorëve japonezë, por edhe në projektet e përbashkëta midis kompanive nga të dy vendet, veçanërisht në sektorin e TI, energjisë dhe ndërtimit në fushën e rindërtimit të Ukrainës si dhe mbështetje direkte për startup-et maqedonase”, deklaroi Despotovski pas takimit.
Kryetari i JETRO, Nobutani shprehu gatishmëri të plotë për mbështetje të ZZHTI dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe angazhimit personal për realizim të përshpejtuar të nismave të reja për rritje të përforcuar ekonomike.
Siç informojnë nga ZZHTI, Despotovski ka pasur takim edhe me guvernatorin e Bankës japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), Nobumitsu Hajashi me të cilin dakorduan mbështetje të projekteve të përbashkëta potenciale të kompanive ndërtimore të Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë në kuadër të rindërtimit të Ukrainës. Guvernatori Hajashi shprehu gatishmëri për mbështetjen e këtyre investimeve.
“Me guvernatorin folëm për nismat konkrete. Mbështetja nga një bankë e këtillë si Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar hap potencial të rëndësishëm për angazhim të kompanive maqedonase në projekte ndërkombëtare”, thotë Despotovski.
Drejtori i ZZHTI është për vizitë pune disajavore në Japoni e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi është prezantimi i mundësive investuese në vendin tonë. Despotovski kishte takime me disa nga odat më të mëdha ekonomike, asociacionet e biznesit, kompanitë dhe institucionet shtetërore në këtë vend.