0Shares

Ndonëse shqiptarët në Maqedoni vuajnë nga varfëria e skajshme që e ka tronditur shtetin viteve të fundit, e njëjta nuk vlen për përfaqësuesit e BDI. Së fundmi sipas të dhënave zyrtare publike, portali Almakos ka siguruar të hyrat e kompanisë për marketing “Screen Media” për vitin 2015, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kjo kompani e cila drejtohet nga nipi i ish ministrit të Arsimit, Abdilaqim Ademi, Elmedin Ademi, ka arritur që të dyfishojë të hyrat e saj nga viti 2014 që ishte 73 milion e 308 mijë e 349 denarë, në 133 milion e 565 mijë e 283 denarë, gjegjësisht 2 milion e 200 mijë euro.

Kjo kompani kontrollon thuajse gjithë tregun e reklamave përmes tabelave informative që janë në pronësi të saj në Shkup dhe nëpër tërë Maqedoninë Perëndimore.

Po ashtu në bazë të një hulumtimi para dy vitesh të organizatës së njohur ndërkombëtare për gazetari hulumtuese “SCOOP” flitet edhe për shifra marramendëse që kjo kompani ka lidhur me shumë kompani shtetërore, kryesisht të drejtuara nga funksionarë të BDI.

Nga hulumtimi i organizatës në fjalë mësohet se familja Ademi ka në pronësi edhe një kompani ndërtimore, e cila deri më tani ka arritur të fitojë tenderët për Spitalin Gjinekologjik në Çair, dhe poliklinikat “Idadia”, “Bukuresht” dhe “Jane Sandanski”, që të gjitha në Shkup./Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)