Në Rotterdam të Holandës po mbahet nata e dytë gjysmëfinale e Eurovision 2021.
Në mbrëmjen e së enjtes është ngjitur në skenë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Anxhela Peristeri, me këngën “Karma”.
Mirëpo ajo nuk ishte shqiptarja e vetme në këtë skenë, pasi vetëm disa minuta pas saj është prezantuar edhe artisti shqiptar Gjon Muharremaj, i njohur si Gjon’s Tears, i cili sivjet përfaqëson shtetin zviceran në Eurovision me këngën “Tout l’Univers”.
Ai performoi live i 16-me radhë, e që njëherësh 16 është kodi përmes së cilit të gjithë shikuesit mund ta votojnë atë.
Të drejtë vote kanë shqiptarët nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të natës së sotme, përfshirë edhe gjashtë shtetet në fuqi që futen automatikisht në finale si: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Holanda (si fituese e Eurovisionit të kaluar).
Votimi hapet në fund të performancave të secilit shtet dhe zgjat vetëm 15 minuta. Kalkulimi në fund të mbrëmjes do të bëhet me 50 për qind nga votat e publikut dhe 50 për qind nga votat e jurisë profesionale të secilit shtet.
Gjoni në një intervistë ekskluzive të dhënë për Telegrafin muaj më parë, ishte shprehur krenar dhe i nderuar që iu dha mundësia ta prezantonte Zvicrën sivjet në Eurovision.
“Jam ndjerë shumë krenar dhe me fat se është eveniment shumë unik dhe do më japi shumë eksperiencë në artin tim”, ka thënë Gjon Muharremaj. /Telegrafi/