Në mungesë të Bordit Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk do ta zbatojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilit kërkohet që të shtyhet ekzekutimi i vendimit që energjia elektrike e cila shpenzohet nga qytetarët serbë në veri të Kosovës t’u shpërndahet të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.
Energjia elektrike e cila shpenzohet në veri të Kosovës edhe më tutje do të shpërndahet nëpër faturat e të gjithë konsumatorëve shqiptarë në gjithë Kosovën, pavarësisht se gjatë javës së kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë një aktvendim, në të cilin kërkohet nga ZRRE-ja që të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.
Më 7 prill të këtij viti gazeta “Zëri” duke u mbështetur në fakte kishte raportuar se më shumë se 8 milionë euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës, edhe më tutje vazhdon të shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.
Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë del se nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh, e cila është shpërndarë nëpër faturat e qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.
Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje Zyrës për Medie të ZRRE-së, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.
Por burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda këtij institucioni bëjnë të ditur se një vendim i tillë i Gjykatës nuk do të zbatohet, pasi që Bordi i ZRRE-së është jofunksional.
Më tutje burimet brenda këtij institucioni kanë bërë të ditur se ZRRE-ja do ta apelojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Vendimi i Gjykatës në asnjë formë nuk mund të zbatohet sepse Bordi i ZRRE-së qe një kohë të gjatë është jofunksional. Por, për të bërë ndryshime në fatura duhet edhe kohë”, ka thënë burimi i besueshëm i gazetës brenda ZRRE-së. /Zëri/Telegrafi/