LAJMI I FUNDIT:

ZRRE-ja nuk e lejon KEK-un të rrisë fondin e pagave

ZRRE-ja nuk e lejon KEK-un të rrisë fondin e pagave

Zyra e Rregullatorit e ka hedhur poshtë kërkesën e KEK-ut për rritjen e fondit të pagave për 4 vjetët e ardhshëm. Rregullatori ka propozuar që fondi të mbetet i njëjtë, e KEK-u mund t’ua rrisë pagat punonjësve të saj në nivelin inflacionit mesatar që regjistrohet në vendet e BE-së. Po ashtu, KEK-u mund t’ua rrisë pagat punonjësve edhe duke bërë kursime në biznes, në mënyrë që të sigurojë mjete, por me kusht që ato kursime të mos ndikojnë në ulje të performancës.

“KEK-u ka propozuar një ngritje vjetore prej 5 për qind në paga në terma realë për tërë kompaninë mbi inflacionin”, thuhet në raportin preliminar të Rregullatorit për të hyrat maksimale të lejuara për KEK-un për katër vjetët e ardhshëm. “ZRRE-ja nuk sheh ndonjë arsyetim për ngritje të tillë në terma realë, në veçanti në nivele të ulëta të prodhimtarisë që është dëshmuar nga KEK-u”.

Edhe pse i takon menaxhmentit të KEK-ut t’i caktojë nivelet e pagave, ZRRE-ja e ka këshilluar menaxhmentin që të gjejë kursime gjetkë në biznes, pa prekur performancën.

Përgjigje negative KEK-u ka marrë edhe sa i përket kërkesës për ngritje të pagave të punonjësve të Distribucionit e Furnizimit. ZRRE-ja ka sqaruar se OSSH-ja në aplikacionin e tyre ka paraparë që të ketë një rritje vjetore në pagën mesatare prej 5 për qind në terma reale. “OSSH-ja sugjeron që kjo bëhet për të rritur koston për punëtorë mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP) për periudhën 2008-2011 prej 5.4 për qind, gjë që, në vija të trasha, është në harmoni me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) të Kosovës”, thuhet në sqarimin e kërkesës së OSSH-së.

Sindikalistët e KEK-ut kanë shkuar edhe një hap më larg se menaxhmenti i tyre. Ata kanë kërkuar që fondi pagave të rritet për 30 për qind. E nga kjo rritje të përfitojnë të gjithë në mënyrë lineare. “Ashtu sikur dhe jeni të njoftuar me kërkesën e SPEK-ut para aprovimit të buxhetit për vitin 2013 bazuar edhe në atë që u tha më lartë kërkojmë që buxheti për paga të punëtorëve të KEK-ut të rritet për 30 për qind”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

Buxheti i vitit 2012 ka qenë 46 milionë euro. Kjo rritje e propozuar nga SPEK-u ka një rritje të buxhetit prej 13 milionë e 800 mijë eurosh. Kryetari i SPEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se kjo shumë të ndahet në mënyrë lineare te të gjithë punonjësit e KEK-ut. “Me qëllim të ruajtjes të skemës së pagave dhe uljes së dallimeve në mes të niveleve të pagave, shuma e fituar si mjete të cilat i shtohen buxhetit të vitit 2012 si rritje për vitin 2013 të ndahet në mënyrë lineare për secilin punonjës dhe kjo shumë të futet në start të pagave”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

“I bie që çdo punëtor të përfitojë një rritje në pagë prej 147,43 euro pa e zbritur tatimin në paga. Pra, ata do të përfitojnë një rritje neto rreth 130 eurosh”, ka thënë Mustafa.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se mosaprovimi eventual i ZRRE-së për ngritje të fondit për pagat nuk e mbyll mundësinë për rritje të pagave. Ai ka thënë se KEK-u ka të drejtë që të bëjë kërkesë të veçantë në ZRRE, siç është çështja e ngritjes së fondit të pagave. /Koha Ditore/Telegrafi/