Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë sot se ka marr zotimin e donatorëve ndërkombëtarë për vazhdimin e përkrahjes me donacione për shëndetësinë e Kosovës.
Zemaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se aktualisht përmes projekteve janë të angazhuar donatorët nga shtete të ndryshme si: SHBA-të, Japonia, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Zvicra, Norvegjia, Jordania, Katari, Zyra e Bashkimit Evropian, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara (OBSH, UNICEF, UNDP, Banka Botërore).
Lexoni të plotë postimin:
“Sapo mora zotimin e donatorëve ndërkombëtarë për vazhdimin e përkrahjes me donacione për Ministrinë e Shëndetësisë dhe shëndetësinë e Kosovës.
Në takimin virtual që zhvilluam sot u vlerësua lartë menaxhimi i situatës epidemiologjike si dhe biseduam për donacionet, ndihmën dhe financimin e projekteve të ardhshme të shëndetësisë sonë, të bazuara në nevojat, kërkesat dhe dokumentet strategjike të MSh-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e donatorëve dhe ambasadorët i njoftova hollësisht për punën që po bëhet në shëndetësi, për dinamikën e angazhimeve për të jetësuar projektet e caktuara, sigurimet shëndetësore për qytetarët, hartimin dhe plotësimin e projektligjeve përkatëse.
Deri më tani, për nevojat e institucioneve shëndetësore të Kosovës, janë ofruar donacione ndërkombëtare me pajisje personale mbrojtëse, kite për testim RT PCR, aparatura, ventilatorë, monitorë për pacientë, autoambulanca, shtretër, koncentrator të oksigjenit, medikamente si dhe gjëra të tjera të rëndësisë së veçantë.
Aktualisht përmes projekteve janë të angazhuar donatorët nga shtete të ndryshme si: SHBA-të, Japonia, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Zvicra, Norvegjia, Jordania, Katari, Zyra e Bashkimit Evropian, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara (OBSH, UNICEF, UNDP, Banka Botërore).
I falënderova ambasadorët dhe donatorët për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshme për shëndetësinë tonë, e cila është thelbësore në këtë kohë të vështirë”. /Telegrafi/