LAJMI I FUNDIT:

Zelensky thërret takim urgjent përpara njoftimit se Putini të premten do të shpallë aneksimin e katër rajoneve në Ukrainë

Zelensky thërret takim urgjent përpara njoftimit se Putini të premten do të shpallë aneksimin e katër rajoneve në Ukrainë

Presidenti Volodymyr Zelensky ka thirrur një takim urgjent të zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes për të premten, tha të enjten zëdhënësi i tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Serhiy Nykyforov njoftoi takimin në Facebook pasi Kremlini tha se presidenti rus Putin do të nënshkruante dokumente zyrtare të premten duke shpallur aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Moska pas atyre që Kievi i quajti referendume “të rreme”.


“Presidenti Volodymyr Zelensky ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës për nesër. Rendi i ditës dhe detaje të tjera do të shpallen më vonë”, citohet të ketë thënë Nykyforov.

Ndryshe, siç është raportuar Rusia do të fillojë të premten zyrtarisht aneksimin e deri në 18% të territorit ukrainas, me presidentin Vladimir Putin që pritet të organizojë një ceremoni në Kremlin për të shpallur katër territore të okupuara ukrainase pjesë të Rusisë.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, ceremonia do të zhvillohet të premten në orën 15:00 me orën lokale, ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

Putin do të mbajë një fjalim dhe do të takohet me udhëheqësit e mbështetur nga Rusia të katër rajoneve të pushtuara në margjinat e ceremonisë, shtoi ai.

Njoftimi i Peskov vjen pasi njerëzit në katër zona të okupuara të Ukrainës supozohet se votuan në një numër të madh në favor të bashkimit me Rusinë, në “referendumet” pesë-ditor që ishin të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe që u hodhën poshtë nga Kievi dhe Perëndimi si një mashtrim.

Të ashtuquajturat referendume u organizuan nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikën Popullore të Luhanskut (LPR) në rajonin lindor të Donbasit, ku luftimet janë ndezur që kur rebelët morën kontrollin e pjesëve të Donetsk dhe Luhansk në vitin 2014.

Dy zonat e tjera për të mbajtur të ashtuquajturat referendume ishin Kherson dhe Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

Procesi u konsiderua gjerësisht si i paligjshëm, pasi ekspertët thanë se ishte e pamundur të mbaheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme në një zonë lufte ose territor të pushtuar. /Telegrafi/