Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha – i cili përfaqëson këtë parti në Komisionin për Punë të Jashtme – ka treguar idenë për nxjerrjen e një deklaratë, e cila do t’i dërgohej Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave.
Në emisionin Fakt Plus me Leotrim Berishën në Tribuna Channel, ai ka thënë se deklarata duhet të jetë në nivel të komisionit dhe jo të partive politike. Më këtë deklaratë, sipas tij, do të shprehej gatishmëria dhe vendosmëria që procesi i demarkimit të ndodhe në një fazë të mëvonshme mbi faktet politike dhe argumentet shkencore qe janë prezantuar nga ana e opozitës dhe ekspertëve të pavarur.
Ai thotë se tash e disa muaj qe është duke ndodhur procesi i bisedimeve, i ndërmjetësuar nga Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, qëndrimet e palëve janë përafruar.
Duke folur për bojkotin e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, deputeti i Nismës ka thënë se Isa Mustafa është i pafuqishëm, “prej ditës se parë kur është emëruar në atë pozitë dhe se është vetëm argat i PDK-së”.
“Kryeparlamentari pret shirita e përuron fabrika, kryeministri jep deklarata koti pa mbulesë për opinionin publik”, ka thënë Berisha.
Në këtë intervistë ai ka treguar pse ka kërkuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme qe mediet të nxirren jashtë në kohën kur po diskutohej për sigurinë në vend.
“Mundësia e rrezikimit të sigurisë nga vende jo mike të Kosovës është i madh, sidomos në pjesën veriore të vendit”, ka theksuar Berisha.
Ndërsa, sa i përket letrave të cilat presidenti Thaçi i ka dërguar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ai ka thënë se ky është vetëm një tendencë e tij për të bërë lajm dhe nuk ka asgjë serioze. Madje, ai e ka vlerësuar si interferim në organet e drejtësisë.