Prania dhe interesimi amerikan për Ballkanin perëndimor mbetet i fuqishëm dhe politika e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar, deklaron zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Bryan Hoyt Yee, në një intervistë për të përditshmen greke “Kathimerini”. Stabiliteti dhe prosperiteti i vendeve të rajonit do të ndihmojnë që Amerika të bëhet më e sigurt, dhe do të jenë aleatë të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit, thekson Yee, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mirëpo, Yee shton se që të realizohet ky objektiv, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen për reforma të thella, që do t’u ofrojnë qytetarëve një qeverisje më të mirë, siguri dhe më shumë vende pune. Zyrtari amerikan, që ndërmori misione në Ballkan muajt e fundit, vëren se ka disa zhvillime pozitive në Ballkan, që sipas tij u realizuan me angazhimin amerikan dhe evropian .
“Mali i Zi u anëtarësua në NATO, liderët e Maqedonisë krijuan qeveri, opozita shqiptare pranoi të ndërpresë bojkotin dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa Serbia hapi dy kapituj të rinj në negociatat për anëtarësim në BE”, konstaton Yee. /Telegrafi/