LAJMI I FUNDIT:

Yamamoto: Kanunin e njoha përmes Kadaresë

Yamamoto: Kanunin e njoha përmes Kadaresë

Për herë të parë ka dëgjuar për Kanunin e Lekë Dukagjinit duke lexuar veprat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Albanologu japonez Kazuhiko Yamamoto sot ka mbajtur një ligjëratë rreth kërkimeve të tij në sfera të ndryshme albanologjike me temën “Kanuni, etika, antropologjia, metafizika dhe problemet etike të njerëzimit”.


Me këtë rast Yamamoto ka thënë se është interesuar edhe për Kanunin e shqiptarëve dhe kanune të vendeve të tjera.

“Kur e kam lexuar veprën e Ismail Kadare, ajo ishte hera e parë që kam ditur për Kanunin. Unë e kam pasur njohuri për Kanunin përgjatë këtyre viteve dhe kam gjetur 6 konceptet e tij si hakmarrja dhe ne japonezët kemi pasur këtë koncept deri më 1871 apo 1872. Në këtë ligjëratë, unë kam dashur të them se sistemi i Kanunit ka filluar rreth 200 mijë vite më parë në regjione të vogla të Afrikës. Askush nuk e di pse Kanuni ka filluar të shfaqet mes shoqërisë njerëzore , por njerëzit e kanë zhvilluar këtë sistem në regjionin e vogël të Afrikës para 70 mijë viteve”, tha Yamamoto.

Ai njëherësh ka promovuar edhe librin e tij “Kodi zakonor fisnor dhe konceptet e Biblës hebraike”, që i ka marrë 25 vjet kohë dhe përkushtim deri në botimin e tij. Libri është studim krahasimtar i koncepteve të Biblës dhe Kanunit.

Me këtë rast ka folur edhe përkthyesi i librit, Gëzim Aliu, sipas të cilit, libri i Yamamotos është një studim ku janë krahasuar koncepti i besës, koncepti i bukës, koncepti i hakmarrjes, i nderit, koncepti i mikut dhe ai i gjakut.

“Ky libër është mjaft interesant dhe gjetjet që ka bërë profesor Yamamoto janë befasuese e njëkohësisht argumentimi i tezave të ngritura bëhet përmes saktësisë shkencore të nivelit më të lartë”, tha ai. /KP/