Pas Armelës, të ftuar në “Pasdite në Top Channel” ishin edhe Xheni dhe Benardi, çifti i cili doli nga shtëpia e Big Brother të shtunën pas votave të publikut.
Ata treguan se si u pritën pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, por mbi të gjitha për lidhjen e tyre, e cila edhe pse nisi në Big Brother duket të jetë e fortë.
Xheni u pyet se çfarë kishte fituar nga Big Brother. “Kam fituar respekt, fansat, por mbi të gjitha Benardin”, tha ajo.
Për sa i përket lidhjes së tyre jashtë shtëpisë, Xheni u shpreh se gjërat po shkojnë mirë, madje më mirë se sa e kishin menduar. “Lidhja jonë nuk është se ka ndryshuar shumë me daljen nga shtëpia, por dua të them se zihemi më pak, por edhe ajo ka të bukurën e saj”, thotë Xheni duke buzëqeshur.
Benardi tregon se ata kanë shkuar edhe te shtëpia e tij në Laç. “Kemi shkuar edhe te shtëpia në Laç. U pritëm shumë ngrohtë. Me thënë të drejtën nuk e prisja gjithë atë respekt maksimal”, tregon Benardi.
Edhe Xheni thotë se gjithçka shkoi shumë mirë, megjithëse shprehet se kishte pasur emocione në fillim. Më tej, ajo thotë se do të takohen edhe me mamanë e saj, e cila pritet të vijë nga Italia.