Ndër të parët që nga futbolli kosovar kaloi në futbollin finlandez është mesfushori mitrovicas, Ymer Xhaferi. Majtaku 29-vjeçar ka përvojë të gjatë në kategorinë e parë dhe të dytë të Finlandës. Xhaferi, si pak lojtarë, ka shfrytëzuar futbollin për të depërtuar në fushat e tjera. Ai këtë vit ka hapur një kompani, të cilën e menaxhon me sukses krahas zhvillimit të karrierës në futboll.
Xhaferi planifikon të luajë edhe disa vite, ndërsa kur t’i japë fund karrierës si lojtar beson se biznesi i tij do jetë stabil dhe do t’i ofrojë stabilitet financiar atij dhe familjes. Problemet më të mëdha për futbollistët kosovarë vlerësohen se shfaqen kur përfundojnë karrierën në fillim të 30-ave dhe kështu nuk kanë një profesion për pjesën tjetër të jetës. Xhaferi e ka zgjidhur këtë problem.
Ish-reprezentuesi i Kosovës, karrierën e ka nisur te Trepça ’89. Klubit mitrovicas fillimisht iu bashkua në grupmoshën e kadetëve.
Vlerësohej talent i madh dhe pasi kaloi kategoritë e reja në vitin 2002 iu bashkua ekipit të parë. Në edicionin 2003/04 luajti shumicën e ndeshjeve. Më pas kaloi te Besa e Kavajës ku qëndroi gjashtë muaj. Thotë se u kthye shpejt, pasi si shumë futbollist nga Kosova e mërziste qëndrimi larg familjes.
Luajti edhe një vit për Trepçën ’89 dhe më pas nisi kërkimin për një klub evropian. Me shpenzime të familjes u provua në disa skuadra dhe në vitin 2007 firmosi në Finlandë për skuadrën AC Oulu që garonte në kategorinë e parë të këtij vendi, shkruan sot Koha Ditore.
Qëndroi gjashtë muaj dhe më pas u zhvendos në ligën e dytë te skuadra PP-70. Trajneri i Oulut vlerësoi se Xhaferi ka mungesë të tempit për të luajtur në Ligën e Parë.
Lidhja me Finlandën
Në vitin 2008, luajti për PK-35 në Ligën e Dytë të Finlandës. Gjashtë muaj qëndroi jashtë fushës për shkak të një lëndimi. Pasi në Finlandë nuk po i ecte mbarë u kthye në Kosovë, gjashtë muaj i kaloi te Trepça ’89 e gjashtë të tjerë te KEK-u. Më pas mori prapë ofertë nga Finlanda, luajti një vit për FF Jaron në Ligën e parë.
"Pata një edicion shumë të mirë, por në fillim të vitit 2011 mora një vendim për të cilin edhe sot çuditem. Kisha ofertë nga HJK Helsinki, klubi më i madh në Finlandë, ndërsa unë vendosa të kaloj te Renova në Maqedoni, ku luajta gjashtë muaj. Ky vendim mendoj se më ka kushtuar shumë në karrierë", ka thënë Ymer Xhaferi.