Përpjekjet gati trevjeçare të banorëve të Obiliqit për ta bërë komunën e tyre me ligj të veçantë pritet të realizohen nesër. Kjo për faktin se në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës në rend të ditës pritet të jetë pikërisht Projektligji për Obiliqin.
Xhafer Gashi, kryetar i kësaj komune, pret qe ky projektligj të kalojë me lehtësi dhe me konsensus të gjerë. Në një intervistë për emisionin ‘Fakt Plus’ të Tribuna Channel ai ka treguar përfitimet e qytetarëve të kësaj komune nga miratimi i këtij projektligji.
Gashi ka folur edhe për punën trevjeçare në krye të kësaj komune. Premtimet e dhëna gjatë fushatës, sipas tij, janë realizuar në mase të madhe.
Gashi ka thënë se nëse do t’i kërkohet nga qytetarët e Obiliqit do të kandidoj sërish për kryetar të kësaj komune.
I pari i Obiliqit nuk e ka kundërshtuar idenë e organizimit të dy palë zgjedhjeve njëkohësisht në pranverë ose verë të vitit të ardhshëm.