Intervistoi: Anzotika Kelmendi
Çfarë teme trajton filmi “Lena and Me” dhe si është pritur në ‘First Run Film Festival’? A do të shfaqet në Kosovë?
“Lena and Me” është film artistik i metrazhit të shkurtë, i xhiruar në kuadër të programit të Maurice Kanbar Film and TV Institute, Tisch School of the Arts, si projekt i vitit të dytë të programit master për regji filmi. Skenarin dhe regjinë e filmit e ka bërë Blerta Basholli, e cila është duke përfunduar magjistraturën për regji filmi në këtë institucion, përkatësisht në departamentin e arteve (TSOA) në Universitetin e New Yorkut. Filmi është prodhuar nga Morina Films, me producent Armond Morinën dhe në qendër të tij ka martesën e aranzhuar të një çifti të ri emigrantësh në Amerikë. Filmi ka marrë kritika pozitive nga audienca dhe juria e pranishme në festival. Është vlerësuar me katër çmime për mjeshtëri- “Craft Awards”. Aktorët e filmit, unë dhe dy kolegët e mi në film, Shpend Xani dhe Shqipe Biba, jemi vlerësuar me Ensemble Acting Award, ndërsa kameramani i filmit Michael Rossetti është shpërblyer me çmimin për mjeshtëri në kamerë. Shpresoj që brenda këtij viti, “Lena and Me” të jetë i pranishëm në festivalet e filmit që mbahen në Kosovë.
Është çmimi i tretë ndërkombëtar që fiton për aktrim, çfarë do të thotë kjo për ju?
E kam thënë shpeshherë që për mua më shumë se çmimet e fituara, vlerë e rëndësi ka përkrahja e dashuria e pakusht që më jep publiku, për çfarë jam falënderuese deri në pafundësi. Megjithatë, çmimet janë të vlefshme për secilin artist, ngaqë pos që të çmohet e të vlerësohet puna për një projekt të caktuar, në njëfarë mënyre vërtetohesh që puna të cilën ti e bën ka kuptim dhe vlen. Të tria çmimet që unë kam marrë deri tash kanë ardhur në kohë shumë të duhur dhe më bëjnë të ndjehem jashtëzakonisht mirë. Kur vlerësohesh më një çmim për punën që bën të shtohet vetëbesimi por, njëkohësisht edhe përgjegjësia e kujdesi ndaj punës dhe publikut.
Çfarë çmimi keni fituar?
Çmimi që unë dhe dy bashkëpjesëmarrësit tjerë në film kemi marrë për lojën në “Lena and Me” është ‘Craft Award’ apo çmim për mjeshtëri, përkatësisht Ensemble Acting Award që në shqip i bie ‘Çmimi për lojën/aktrimin në ansambël/ekip’. Nuk dua as ta ‘hiperbolizoj’ e as ta ‘minimizoj’ marrjen e këtij çmimi, mirëpo më duhet ta them që ndjehem e nderuar që kam marrë këtë çmim, ngase e dimë sa shumë ka konkurrencë e diversitet në Amerikë në industrinë e filmit dhe nga kjo konkurrencë është e vështirë të depërtosh e të shihesh apo t’i lësh përshtypje dikujt, aq më tepër dikujt si juria e këtij festivali. Dhe kur kjo ndodh, të bën të ndihesh i veçantë dhe i vlefshëm!
Shpalosna pak emocionet që keni pasur atë natë dhe si jeni ndier kur u thirr emri juaj si fituese?
Fatkeqësisht unë nuk kam qenë në New York gjatë kohës sa është mbajtur festivali dhe nuk kam arritur ta përjetoj gëzimin dhe emocionin që të jepet në të tilla raste. Mirëpo, regjisorja ka qenë aty dhe ajo i ka pranuar çmimet në mungesën tonë. Sidoqoftë po e shpalos një tjetër ‘sekret’ që nuk e kam thënë në asnjë intervistë timen më parë. Nga të tria këto çmime, personalisht unë e kam pranuar vetëm çmimin tim të parë “Marta 2004” në Festivalin e 14-të të takimit të akademive teatrore “Setkani/Encounter” në Brno të Çekisë, në prill të 2004-ës ,dhe më kujtohet që fjala e parë që e pata thënë instinktivisht atë natë kur e kam pranuar çmimin ka qenë “mir’mrama” dhe pastaj ua pata shpjeguar të pranishmëve çfarë do të thotë kjo fjalë. Po ashtu më kujtohet që nga hutia e emocionet mu patë tharë goja dhe ato dy-tre minuta sa pata folur më janë dukur shumë të gjata. Por, më vjen mirë kur e kujtoj, që në mesin e asaj hutie, atë çmim në fund të fjalimit ja pata dedikuar Universitetit të Prishtinës – Fakultetit të Arteve dhe Kosovës që atë kohë ende nuk ishte shtet. As çmimin e vitit të kaluar e as këtë të fundit nuk kam qenë e pranishme t’i marrë personalisht e ndoshta edhe të mbajë ndonjë ‘fjalim me rastin e pranimit’. Është ndjenjë e veçantë dhe pak e hutueshme kur e dëgjon emrin tënd të thirret në skenë në të tilla ceremoni, aq më tepër emrin tim i cili është tipik shqiptar dhe shumica e popujve të tjerë kanë shumë vështirësi ta prononcojnë.
Si lindi ky projekt?
“Lena and Me” është projekt i punuar me shumë dashuri e sakrificë nga ana e të gjithë pjesëmarrësve që kanë kontribuar në realizimin e tij, e që në fakt janë të shumtë. Natyrisht, meritën dhe kontributin më të madh e ka dhënë Blerta Basholli e cila është autore e projektit, përkatësisht ka shkruar skenarin, ka bërë regjinë e montazhin e filmit dhe përzgjedhjen e aktorëve, për çfarë e uroj dhe përgëzoj. Blertën pos tjerash do ta përgëzoja për seriozitetin dhe përkushtimin e saj të përgjithshëm në këtë projekt. Ajo së bashku me producentin e filmit Armond Morinën, janë marrë me ideimin dhe organizimin e tërë projektit për një kohë të gjatë dhe padyshim kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila në shumë raste nuk ka qenë e lehtë dhe pa sfida. Të punosh një film artistik kudo në botë madje edhe me luksin më të madh nuk është punë e lehtë ose e palodhshme, por të xhirosh një film artistik në New York është dyfish punë më e vështirë, sepse pos shumë gjërave tjera kërkohet edhe buxhet i mirë e i majmë, megjithatë, dy kolegët e mi, Blerta e Armondi, me shumë punë, mund, lodhje e shpesh edhe sakrificë arritën ta dëshmojnë që edhe me një buxhet të vogël, në këtë rast minimal, nëse di e do, mund të bësh një film të mirë i cili deri tani po tregon sukses. Megjithatë, meritë të padiskutueshme dhe një falënderim i madh u shkon të gjithë atyre që dhanë kontribut në mënyra të ndryshme për realizimin e “Lena and Me”, e ndër ta janë: Shqipe Biba dhe familja e saj, Fadil Berisha, Artan Korenica, Trimor Dhomi, familja Basholli e plot të tjerë. Dhe natyrisht një falënderim të posaçëm e meriton burri im Albiani, i cili ishte me mua gjatë kësaj kohe në New York dhe ishte inspirimi im kryesor!
A do të konkurrojë në ndonjë festival të filmit "Lena and Me" ( Përveç në First Run Film Festival)?
Shpresoj që po. Për këtë vendosin producenti dhe regjisorja, por shpresoj që filmi të konkurrojë dhe të pranohet në festivale të tjera.
Planet e ardhshme në lidhje me aktrimin?
Punë, punë dhe shumë punë. Pres që së shpejti të kem edhe një premierë të mbyllur të një filmi tjetër të shkurtë, ko-produksion shqiptaro-gjerman, film ky që e kemi xhiruar në janar të këtij viti. Po ashtu, do të jem e angazhuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me reprizat e shfaqjes “Heshtje” dhe së shpejti edhe me një shfaqje të re, si dhe pres që deri në qershor të përfundojmë xhirimet e sezonit të nëntë të serialit të parë vendor “Familja Moderne” në RTK.
/Telegrafi/